Në mes të Liqenit Titicaca, në kufirin mes Perusë dhe Bolivisë, ndodhen rreth 60 deri në 70 ishuj lundrues të ndërtuar plotësisht nga kallamishtet Totora – një mrekulli arkitekturore natyrore që prej shekujsh është shtëpia e popullit Uros.
Këta ishuj të brishtë, që mund të zhvendosen, bashkohen apo zhduken me kalimin e viteve, janë një dëshmi e jashtëzakonshme e lidhjes midis njeriut dhe natyrës.
Urosët janë të vendosur në pjesën perëndimore të liqenit, vetëm 7 kilometra nga qyteti Puno, që njihet si “kryeqyteti folklorik i Perusë”. Në një lartësi mbresëlënëse prej 3,810 metrash mbi nivelin e detit, këta ishuj janë shtëpia e rreth 4 mijë banorëve që vazhdojnë të jetojnë sipas zakoneve të paraardhësve të tyre, të izoluar nga bota moderne.
Sipas studiuesve, Urosët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të kulturës Pukara, një qytetërim i lashtë që daton rreth 1500 para erës sonë, dhe që jetonte në pllajat e Andeve. Ata janë konsideruar banorët e parë të Liqenit Titicaca, madje para kulturës së famshme Tiahuanaco.

Kur Perandoria Inka nisi zgjerimin, Urosët – një popull paqësor zgjodhën të mos luftojnë. Në vend të kësaj, u tërhoqën në ujërat e thella të liqenit, ku ndërtuan ishujt e tyre prej kallamishteve Totora, duke siguruar lirinë dhe pavarësinë. Kështu, nëse ndonjë kërcënim i afroheshte, ata mund të zhvendosnin të gjithë ishullin në një zonë më të sigurt.
Për shekuj me radhë, Urosët kanë jetuar nga peshkimi dhe gjuetia e zogjve andinë, si Kingfisher apo Ibis, të cilët i rrisin për vezët e tyre. Kallamishtja Totora, përveçse është materiali kryesor për ndërtimin e ishujve, përdoret edhe si ushqim – pjesa e bardhë e brendshme është e pasur me lëndë ushqyese dhe besohet se ndihmon kundër sëmundjeve si reumatizma dhe artriti.
Përveç kësaj, banorët kanë krijuar një ekuilibër të qëndrueshëm me natyrën: rrisin pak bagëti në breg, tregtojnë me komunitetet Aymara përreth dhe ndajnë burimet e tyre me kujdes.
Megjithëse ende jetojnë në ishuj prej kallamishteje, jeta e Urosëve ka ndryshuar. Panelet diellore kanë zëvendësuar flakët e hapura, duke ulur rrezikun e zjarreve dhe duke u mundësuar energji elektrike për radio, televizorë e ndriçim.

Në një prej ishujve funksionon një stacion radiofonik lokal, që transmeton muzikë andine dhe lajme për komunitetin. Fëmijët ndjekin mësimin në një shkollë fillore në një nga ishujt, ndërsa një njësi mjekësore lundruese kujdeset për shëndetin e tyre.
Megjithatë, për arsimin e mesëm dhe universitar, të rinjtë duhet të shkojnë në qytetin Puno – dhe shpesh nuk kthehen më, duke e bërë popullsinë e Urosëve të plaket çdo vit.
Gjuha e lashtë Pukina është zhdukur rreth 500 vjet më parë, duke u zëvendësuar me Aymara, gjuhën e fqinjëve me të cilët kanë tregtuar dhe bashkëjetuar. Megjithatë, Urosët kanë ruajtur shumë nga zakonet, veshjet dhe artizanatet e tyre.
Çdo ishull ndërtohet me kujdes duke lidhur rrënjët e kallamishteve Totora për të krijuar një bazë të fortë e të lehtë. Mbi të, shtohen shtresa të tjera kallamishteje derisa të formohet një platformë e qëndrueshme, e cila ankorohet në fund të liqenit me shtylla eukalipti.
Një ishull i mirëmbajtur mund të zgjasë deri në 30 vjet, por kërkon shtresa të reja çdo javë në stinën e shiut dhe çdo muaj në periudhën e thatë. Edhe mobiljet dhe varkat janë ndërtuar nga Totora – varkat kanë forma kafshësh simbolike, shpesh me kokë pumash, pasi “Titicaca” në gjuhën keçuane do të thotë “Guri i pumës”. /AP/Katror.info













