Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2 nisin maratonën e programit special kushtuar edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, i cili do të mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor 2025. Kjo nismë programore ka filluar më 20 tetor dhe do të vazhdojë deri në përmbyllje të kësaj ngjarje me post festival, duke sjellë për dëgjuesit përmbajtje të pasur, dinamike dhe të përditshme, me synimin për të sjellë atmosferën e këtij festivali unik në çdo cep të vendit përmes valëve të radios.
Ky program do të transmetohet çdo ditë në dy kanalet e Radio Kosovës. Nga ora 11:00 në Radio Kosova 2 ku do të fokusohet në krijimin e një përmbajtje të pasur dhe dinamike nga prapaskenat e festivalit duke pasqyruar punën e padukshme të ekipeve që e bëjnë këtë ngjarje të mundur, përfshirë skenaristët, dizajnerët, skenografët dhe anëtarët e tjerë të ekipit organizativ. Ky mbulim do të realizohet përmes një cikli special emisionesh, të titulluar “The Road to the Festival”, që do të ofrojë një pasqyrë të plotë të punës, përpjekjeve dhe përgatitjeve që qëndrojnë pas skenës.
Ndërsa nga ora 12:20, emisioni “Mesdita “ në Radio Kosova 1 do të përqendrohet kryesisht në pjesëmarrësit e festivalit, duke i ndjekur ata në çdo hap të udhëtimit të tyre, nga provat deri te performancat në skenë, dhe duke u dhënë mundësinë dëgjuesve të dëgjojnë më nga afër këngëtarët dhe talentet që garojnë për çmimet e festivalit.
Për herë të dytë, Radio Kosova do të sjell edhe një lojë shpërblyese për dëgjuesit, ku do të dhurohen bileta për një nga netët e festivalit, e cila është mundësi e mirë për adhuruesit e muzikës dhe Festivalit të Këngës që të jenë pjesë e ngjarjes më të madhe muzikore në vend.
Kjo qasje e ndarë në dy përmbajtje të veçanta, por të koordinuara me njëra-tjetrën, ka për qëllim të sigurojë një mbulim të gjithanshëm dhe të pasur të festivalit, duke përfshirë si aspektet artistike dhe kreative, ashtu edhe pjesëmarrësit ne festival.
Radio Kosova edhe këtë vit do të sjellë prapaskenën e netëve live me studion mobile e cila do të vendoset në Pallatin e Rinisë, aty ku do të mbahet Festivali, duke sjellë drejtpërdrejt emocionet dhe zërin e artistëve pas paraqitjes skenike.
Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK sjell në skenë 20 këngë të reja që do të interpretohen live, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me edicionet e mëparshme. Në edicionin e parë morën pjesë 18 këngë, ndërsa në të dytin 16. Kjo dëshmon për interesimin në rritje të skenës muzikore vendore për të qenë pjesë e këtij festivali që tashmë është konsoliduar si një ndër ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Kosovë./RTKlive













