Autoritetet japoneze po përpiqen të frenojnë varësinë nga telefonat inteligjentë, një fenomen që ka marrë përmasa globale, veçanërisht mes të rinjve.
Në qytetin Toyoake, me 69 mijë banorë në Japoninë qendrore, është miratuar një nismë që kufizon përdorimin e telefonit në vetëm dy orë në ditë.
Edhe pse masa nuk parashikon ndëshkime për shkelësit, ajo synon të nxisë reflektimin mbi efektet fizike dhe psikologjike të përdorimit të tepërt të telefonave.
Për shumë të rinj japonezë, të mësuar të kalojnë orë të tëra duke shfletuar rrjete sociale, lexuar lajme apo parë video, kufizimi është një sfidë e vërtetë.
Shumica e brezit të ri nuk e imagjinon jetën pa telefon. Në një vend ku mesatarja e qëndrimit online për të rinjtë është mbi pesë orë në ditë, kufiri i vendosur nga autoritetet duket pothuajse i pamundur.
Megjithatë, disa të rinj që u përfshinë në një eksperiment të ngjashëm, duke u përpjekur të reduktonin përdorimin në dy orë në ditë, raportuan përvoja interesante, nga vështirësi në fillim deri te një ndjesi e re e kohës së fituar.
Ata që arritën ta respektojnë kufirin, pohuan se dita u ishte bërë më produktive dhe më e kuptimtë.
Disa zgjodhën të lexonin libra, të studionin apo të ushtroheshin në palestër, duke e ndier se koha e lirë e rikthyer i kishte ndihmuar të rifitonin fokusin.
Një pjesë tjetër, ndonëse nuk ia dolën plotësisht, pranuan se vetë përpjekja për të kufizuar përdorimin e telefonit u kishte rritur ndërgjegjësimin për sa shumë kohë humbasin.
Psikologët japonezë prej vitesh paralajmërojnë për ndikimin e përdorimit të tepërt të smartfonëve në shëndetin mendor, gjumin dhe marrëdhëniet sociale.
Shumë të rinj raportojnë dhimbje koke, lodhje të syve dhe pagjumësi si pasojë e ekspozimit të zgjatur ndaj ekranit.
Në këtë kuadër, nisma e Toyoake është parë si një hap simbolik, por i nevojshëm, për të nxitur qytetarët të reflektojnë mbi zakonet e tyre dixhitale.
Kryetari i bashkisë, Masafumi Koki, e ka mbrojtur vendimin përballë kritikave, duke theksuar se qëllimi nuk është ndalimi, por ndërgjegjësimi.
Për shumë të rinj, mënyra më e mirë për të kufizuar përdorimin e telefonit është vendosja e rregullave personale. Shumë e shohin nismën si mundësi për të rishikuar raportin e tyre me teknologjinë, jo për ta braktisur atë, por për ta përdorur me vetëdije.
Disa studentë kanë pranuar se vetëm fakti që u përpoqën të reduktonin përdorimin e telefonit i bëri të ndiheshin më të pranishëm në jetën reale, më të aftë të shijonin bisedat dhe vëmendjen ndaj mjedisit përreth.
Ndërsa Japonia kërkon të gjejë ekuilibrin mes teknologjisë dhe mirëqenies, përvoja e Toyoake ka ngritur një debat më të gjerë: a është e mundur që një shoqëri e lidhur ngushtë me pajisjet dixhitale të mësojë të shkëputet, qoftë edhe për pak orë në ditë?
Për shumë pjesëmarrës, përgjigjja është po, dhe çdo minutë më pak në ekran mund të përkthehet në një ditë më të qetë, më të gjatë dhe më kuptimplotë. /shqip.al/Katror.info













