Artisti dhe dizajneri i njohur kosovar, Rrezeart Galica, është ftuar të jetë pjesë e jurisë ndërkombëtare në Cootermag’s First Poster Design Competition në Iran, një konkurs prestigjioz që synon të promovojë dizajnin e posterit si formë të lartë komunikimi artistik dhe vizual.
Në një njoftim publik, Galica ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë ftesë, duke theksuar rëndësinë e dizajnit si mjet i komunikimit universal.
“Me kënaqësi pranoj ftesën për të qenë pjesë e jurisë së Cootermag’s First Poster Design Competition, një iniciativë që e sheh dizajnin e posterit si më shumë se formë vizuale, si një mënyrë për të komunikuar ndjenja, ide dhe kuptime përmes imazhit. Është nder të jem pjesë e këtij projekti që bashkon dizajnerë, artistë dhe krijues nga e gjithë bota në një dialog të bukur mes artit dhe mesazhit,” ka deklaruar Galica, duke falënderuar ekipin e Cootermag për përkushtimin në promovimin e dizajnit si “gjuhë universale të mendimit dhe emocioneve”.
Cootermag’s First Poster Design Competition shënon fillimin e një platforme të re ndërkombëtare për dialog artistik dhe letrar. Si pjesë e këtij projekti, do të prezantohet edhe The CooterMag Quarterly Journal, një revistë e specializuar për artin bashkëkohor dhe letërsinë, e cila do të botohet në format print dhe digjital, me përmbajtje kritike e punime nga artistë dhe studiues nga e gjithë bota.
Pjesëmarrja e Rrezeart Galicës në këtë juri ndërkombëtare konsiderohet një tjetër dëshmi e njohjes globale të punës së tij dhe e ndikimit që ai ka në fushën e dizajnit grafik, multimedias dhe komunikimit vizual.
Me përvojën e tij akademike dhe krijuese, Galica përfaqëson brezin e artistëve që e kanë ngritur dizajnin e posterit në nivel të dialogut estetik dhe etik me shoqërinë bashkëkohore.
Punimet e tij janë ekspozuar në shumë galeri ndërkombëtare, ndërsa ekspozita personale “Para Fillimit” është përfshirë si referencë për studentët në Akademinë e Arteve të Bukura të Peruxhas dhe Akademinë Katolike të Arteve në Milano, shkruan RTKlive.
Ai ka qenë anëtar jurie në Ekuador dhe Turqi, si dhe pjesëmarrës në dhjetëra bienale dhe konkurse ndërkombëtare të artit. Galica është gjithashtu themelues dhe drejtor i Festivalit të parë të posterit ndërkombëtar në Kosovë – Prishtina International Poster Festival./Katror.info













