Ministria e Jashtme e Sirisë ka njoftuar njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke e cilësuar këtë vendim si shprehje të mbështetjes për të drejtën e popujve në vetëvendosje dhe përpjekjet për paqe e stabilitet në Ballkan.
Në deklaratën zyrtare, Ministria siriane ka theksuar se vendimi “buron nga besimi i Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga përkushtimi i saj për të promovuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë.”
Gjithashtu, Siria ka shprehur “mirënjohje të thellë ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite për rolin e saj konstruktiv në afrimin e palëve, mbështetjen e dialogut dhe forcimin e mirëkuptimit”, duke theksuar se këto përpjekje krijuan kushtet e duhura për marrjen e këtij vendimi historik.
Në fund të deklaratës, Damasku ka bërë të ditur se “pret me padurim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në shërbim të interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve të tyre.”/Katror.info









