Apple, i njohur për qasjen e tij konservatore kur bëhet fjalë për harduerin, duket se po përgatit ndryshime më të mëdha në gjeneratën e ardhshme të iPhone-ve. Modeli standard i iPhone 18 mund të pajiset me plot 12 GB RAM, gjë që do të përbënte një hap të madh përpara krahasuar me 8 GB që ofrohet aktualisht. Nëse këto informacione rezultojnë të sakta, kjo do të ishte hera e parë që Apple e pajis modelin standard të iPhone-it (që nuk është versioni Pro) me një sasi kaq të madhe memorjeje, përcjell TAR.
Ky hap nuk do të ishte vetëm për pamje; RAM-i shtesë do të mundësonte performancë më të mirë në multitasking, nisje më të shpejtë të aplikacioneve dhe efikasitet më të lartë në përdorimin e funksioneve të inteligjencës artificiale, të cilat pritet të jenë pjesë qendrore e sistemit operativ iOS 19. Raporti gjithashtu thekson se Apple planifikon të përdorë memorien e re LPDDR5X RAM, e cila është më e shpejtë dhe më efikase në konsum energjie se versioni aktual. Ky hap do t’i mundësonte kompanisë të konkurrojë me prodhues si Samsung dhe Google, telefonët premium të të cilëve tashmë ofrojnë sasi të ngjashme ose më të mëdha memorjeje.
Edhe pse Apple nuk i ka komentuar zyrtarisht këto thashetheme, dihet se kompania vitet e fundit po e zvogëlon gjithnjë e më shumë hendekun mes modeleve standarde dhe atyre Pro – çka mund të nënkuptojë se përdoruesit më në fund do të marrin më shumë vlerë për paratë e tyre. Pritet që seria iPhone 18 të prezantohet në shtator të vitit 2026, dhe përveç rritjes së RAM-it, përflitet edhe për përmirësime në kamera, dizajn të ri dhe fokus më të madh tek funksionalitetet e inteligjencës artificiale. /Katror.info









