Të mërkurën mbrëma, qielli do të ofrojë një spektakël të veçantë – superhënën më të afërt të vitit. Sipas agjencisë amerikane të hapësirës NASA, Hëna do të shfaqet më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht.
Kjo ndodh sepse orbita e Hënës rreth Tokës nuk është plotësisht rrethore; ajo lëkundet mes distancave të afërta dhe të largëta gjatë rrotullimit të saj.
Një superhënë ndodh kur faza e plotë e Hënës përkon me pikën më të afërt të saj ndaj Tokës, duke bërë që ajo të duket deri në 14% më e madhe dhe rreth 30% më e ndritshme se zakonisht, raporton Katror.info.
Superhëna e nëntorit është e dyta nga tri që do të shfaqen gjatë këtij viti dhe gjithashtu më e afërta, me një distancë prej rreth 357 mijë kilometrash nga planeti ynë.
Për ta parë, nuk kërkohet asnjë pajisje e veçantë; mjafton një qiell i pastër dhe një vend me pak ndriçim artificial. Sidoqoftë, ndryshimi në madhësi është i vështirë të dallohet me sy të lirë./Katror.info











