Në takimin e Kolegjit të Komisionit Evropian që nis sot në mesditë, do të miratohet paketa e zgjerimit të BE-së së bashku me raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit. Më pas, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, do t’i prezantojë këto raporte para Parlamentit Evropian e më vonë edhe në konferencë për shtyp para gazetarëve në Bruksel. Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Kosovë do t’ia dorëzojë këtë raport edhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Koha ka pasur mundësi të lexojë draftin e raportit për Kosovën disa ditë para miratimit të tij. Nuk ka befasi. Raporti kryesisht përmend progres të limituar, apo edhe stagnim. Shkak kryesor është përçarja e skenës politike dhe ngërçi institucional. Komisioni Evropian mbetet gati të përpilojë mendimin për statusin e vendit kandidat për Kosovën, por i duhet mandati nga vendet anëtare. Heqja e masave ndaj Kosovës kushtëzohet me transferimin e pushtetit lokal në veri. Të gjitha marrëveshjet nga dialogu duhet të zbatohen edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Raporti më negativ është ai për Serbinë, ndërsa më pozitivë janë për Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Kosova ka bërë kryesisht progres të kufizuar, apo s’ka pasur progres në periudhën njëvjeçare që përfshin shtatorin e vitit 2024 deri në shtator të këtij viti. Kjo mungesë e progresit më të madh, sipas Komisionit Evropian, është kryesisht për shkak të polarizimeve politike të krijuara gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe ngërçit politik pas tyre.
Në draftin e raportit për Kosovën, i cili nuk pritet të ndryshojë shumë, në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi” e në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres”. Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes, ku nuk ka pasur progres në implementimin e rekomandimeve nga raporti i mëparshëm, dhe për veprimet në veri, të cilat, konstatohet edhe në këtë raport, kanë qenë në kundërshtim me obligimet e Kosovës ndaj BE-së dhe ndaj procesit të normalizimit të raporteve.
Ky raport për Kosovën është më pak pozitiv sesa raportet e mëhershme, në të cilat kishte më shumë progres. Por raporti nuk do të jetë befasi për askënd, duke e ditur se në çfarë periudhe ka kaluar Kosova që nga fillimi i këtij viti.
“Periudha që përfshin raporti ishte e ndikuar nga politika përçarëse e brendshme dhe fushata konfrontuese në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit 2025. Kjo u pasua me ngërç politik për shkak të paaftësisë apo mungesës së vullnetit të partive politike për të gjetur rrugëdalje drejt krijimit të institucioneve. Qeveria ishte me status të qeverisë në detyrë që nga 23 marsi, me vetëm funksione të limituara ekzekutive për të kryer punë ditore”, thuhet në draftin e raportit.
Në pjesën kur flitet për raportet e Kosovës me BE-në përmendet se qytetarët e Kosovës tashmë gëzojnë liberalizimin e vizave, se Kosova ka të miratuar edhe Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, se Kosova dëshmon përkushtimin për integrim në BE, në mënyrë unilaterale është përshtatur me qëndrimet e BE-së edhe në politikën e jashtme. Por konstatohet se Kosova nuk ka pasur mundësi të përfitojë pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për shkak se nuk ka qenë në gjendje të ratifikojë marrëveshjen përkatëse me BE-në për mjete dhe kredi. Sipas ligjeve të Kosovës, marrëveshja e tillë ka karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe duhet të ratifikohet në Kuvend me dy të tretat e votave.
Po ashtu thuhet se gjatë kësaj periudhe ka pasur vazhdim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, për heqjen e të cilave Komisioni ka nisur të punojë nga muaji maj i këtij viti.
“Hapat e mëtejmë janë të kushtëzuar me de-eskalimin e qëndrueshëm në veri. Komisioni ka qëllimin që të heqë më tej masat financiare nëse një transfer i rregullt i qeverisjes në veri do të arrihet pas rundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe de-eskalimi të jetë i qëndrueshëm”, thuhet në tekst.
Komisioni pritet të konstatojë se nuk ka pasur progres sa i përket lirisë së shprehjes.
Mjaft kritika ndaj Kosovës, me konstatimin se nuk ka pasur progres, ka për fushën e lirisë së shprehjes dhe gjendjes së mediave.
“Përderisa mjedisi mediatik është pluralist, ai përballet me sfidat që lidhen me transparencën e pronësisë së mediave dhe qëndrueshmërinë financiare”, thuhet në draftin e raportit, dhe përsëriten rekomandimet nga viti i mëparshëm për përmirësimin e kushteve për gazetarët, forcimin e raportimit profesional dhe përmirësimin e kapaciteteve për të zgjidhur rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
“Gjatë periudhës së përfshirë në raport, 70 raste të sulmeve fizike dhe verbale, si dhe kërcënime ndaj gazetarëve janë raportuar, përfshirë edhe pengimin e gazetarëve dhe punëtorëve të mediave në kryerjen e punës së tyre”, thuhet në raport dhe përmendet se “gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin, kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave”.
Një pjesë e madhe e raportit i kushtohet edhe këtë vit procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast përsëritet se përmbushja e obligimeve nga ky dialog është parakusht si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në procesin e integrimeve evropiane, por edhe për përfitime nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në pjesën ku flitet për përmbushjen e obligimeve, përsëritet thirrja për Kosovën që të nisë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, bazuar në “Propozimin Evropian” të draft-statutit të këtij Asociacioni, ndërsa për Serbinë që të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Në raport thuhet se progresi në normalizimin e raporteve është penguar edhe për shkak të situatës politike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, si dhe nga mungesa e masave nga ana e Serbisë ndaj kryesve të sulmit në Banjskë, për të cilin në raport përsëritet se ka shënuar përshkallëzimin më të madh të sigurisë.
Përsëritet konstatimi se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga ta në prill të vitit 2023 kishte shënuar “kthim të rëndë prapa” në obligimet e Serbisë nga marrëveshjet e dialogut. Por edhe përshëndetet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe në ato të fundit lokale, që shihen si fillim i kthimit të tyre në institucionet e Kosovës.
“BE përsërit se kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe organet e rendit, duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet nga dialogu dhe me respektim të plotë të kornizës ligjore të Kosovës”, thuhet në tekst.
Po ashtu kritikohet edhe angazhimi i Serbisë kundër Kosovës në forumet ndërkombëtare. Përsëritet thirrja për Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë obligimet nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj dhe të angazhohen me vullnet më të madh drejt normalizimit të raporteve, duke evituar edhe gjuhën që shkon kundër frymës së normalizimit. Përsëritet se “formalitetet” rreth marrëveshjeve nuk duhet të merren si justifikim për moszbatimin e tyre. [..]
/KOHA./Katror.info
















