Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri, pasi sipas saj, asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re.
Ky reagim i LDK-së erdhi pasi Lëvizja Vetëvendosje ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër.
Sipas LDK-së, shtyrjet procedurale dhe “interpretimet e stisura” vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.
“Mandati për qeverisje u takon qytetarëve; le ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe të drejta”- thuhet në reagimin e kësaj partie.
LDK-ja tutje ka apeluar për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore.
“Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”- thuhet tutje në reagim.
Ndërsa thonë se do të paraqesim para qytetarëve një program të qartë qeverisës, me zgjidhje të përgjegjshme për ekonominë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale./Kallxo.com./Katror.info
















