Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar sot për një konferencë për media në orën 19:00, pas takimeve me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Po ashtu, paradite Presidentja ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sot deputetin Glauk Konjufca si mandatar i ri për formimin e qeverisë, një hap që ka shkaktuar reagime të forta nga opozita.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes zëdhënësit Faton Abdullahu, ka theksuar:
“Në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë. Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione.”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar:
“Kam qenë në takim për të paraqitur qëndrimet e LDK-së… Mbledhja e Lëvizjes Vetëvendosje ku u caktua Glauk Konjufca si mandatar është shfaqje teatrale e mandatarëve pa numra dhe si e tillë duhet të marrë fund.”
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar në Facebook:
“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit… Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.”/Katror.info
















