Në gjirin e thellë akullnajor të Grenlandës Lindore, ndodhet një prej qëndrimeve më të pazakonta në botë – Floating Glacier Hut, një kabinë e vetme, e gjelbër, me formë gjashtëkëndore, që lundron mbi ujërat e ftohtë përballë Detit të Grenlandës. Nuk ka rrugë, nuk ka fqinjë, nuk ka sinjal telefoni. Vetëm një radio satelitore dhe horizonti i pafund i bardhë.
“Këtu je më i sigurt se kudo tjetër, madje edhe nëse afrohet një ari polar – mbyll derën dhe je në rregull”, thotë Nicco Segreto, themeluesi i këtij projekti unik dhe guidë lokale e akullnajave.
Ai është edhe njeriu që e ka ndërtuar këtë strehë për aventurierët që kërkojnë izolim total.
Kabina është pjesë e një trendi të ri në botën e udhëtimit: “quietvacations” – pushime që ofrojnë qetësi të plotë, larg teknologjisë, zhurmës dhe ngutjes së jetës moderne.

E ndërtuar nga materiale finlandeze, me izolim të përsosur dhe një tavan tërësisht prej xhami, ajo ofron pamje të drejtpërdrejtë drejt qiellit të natës, ku aurora boreale shfaqet si një perde drite që vallëzon në heshtje.
Brenda saj ndodhet një krevat dopio, një tavolinë e vogël, ushqime të përgatitura paraprakisht dhe një tualet ekologjik. Nuk ka dush, por guximi për t’u zhytur në ujërat ngrirës zëvendëson çdo luks modern. Çdo detaj është menduar për të ruajtur qetësinë – madje edhe ndriçimi është i butë, për të mos prishur magjinë e natyrës përreth.
Mbrëmja kalon ngadalë. Drita e diellit që nuk perëndon plotësisht ndriçon akullin, ndërsa valët përplasen butë mbi trupin e kabinës. Në orët e vona, qielli ndizet me ngjyra rozë dhe jeshile, pasqyruar në sipërfaqen e ujit që nis të ngrijë.

Gjithashtu mund të udhëtosh me varkë deri tek një shpellë me akull. Shpella është si një katedrale natyrore, me mure akulli që shkëlqejnë në nuanca blu. Nga brenda dëgjohet zhurma e një lumi që rrjedh nën akullnajë, dhe ajri i ftohtë mbart flluska të vogla që datojnë miliona vite më parë.
Mes më shumë se tetë milion listimeve të saj, Airbnb përfshin një gamë të jashtëzakonshme vendqëndrimesh: jurta nomade në Mongoli, një shtëpi miqsh komunitare në Papua Guinenë e Re, një shtëpi në pemë mbi lumin Amazon, në kufirin mes Kolumbisë, Perusë dhe Brazilit, si dhe një kabinë buzë lumit Blaeberry në Rockies Kanadeze, ku ka gjasa të mos shohësh asnjë njeri tjetër përreth.
Grenlanda të përball me madhështi dhe egërsi njëkohësisht. Dhe ndoshta, kjo është arsyeja pse njerëzit po kërkojnë gjithnjë e më shumë vende të tilla. Jo për t’u arratisur nga bota, por për t’u rikthyer në të me një qetësi të re. /AP/Katror.info
















