Këshilli i ri Drejtues i Universitetit të Prishtinës (KD) ka nisur zyrtarisht punën me mbledhjen e tij të parë themeluese, në të cilën është kompletuar edhe me përfaqësuesit e deleguar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Në këtë mbledhje, Altin Sahiti është rizgjedhur kryesues i Këshillit Drejtues, ndërsa Arbëresha Nela-Turjaka është zgjedhur zëvendëskryesuese. Mbledhjen e parë të përbërjes së re me gjashtë anëtarë të rinj e ka udhëhequr prof. Teuta Kajtazi-Jashari.
Gjatë takimit u miratuan raportet e MAShTI-t dhe të Senatit të UP-së për anëtarët e emëruar e të zgjedhur, duke përmbyllur kështu procesin e konstituimit të trupës më të lartë drejtues të universitetit.
MAShTI ka emëruar Myesere Hoxhën dhe Berenika Gashin si anëtare të reja të KD-së, ndërsa u ka vazhduar mandatin Altin Sahitit dhe Arbëresha Nela-Turjakës. Nga ana tjetër, personeli akademik i UP-së përfaqësohet në këtë trupë nga profesorët Mimoza Ibrani, Teuta Jashari-Kajtazi, Arian Krasniqi, Vjosa Fejza-Ademi dhe Kurtesh Sherifi – të zgjedhur në fund të qershorit 2025.
Në përbërjen aktuale prej nëntë anëtarësh, Këshilli Drejtues i UP-së përfshin gjashtë gra, çka vlerësohet si një hap përpara drejt barazisë gjinore në udhëheqjen universitare.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli u zotua se do të punojë me frymë bashkëpunimi dhe energji të re, në shërbim të përparimit të Universitetit të Prishtinës dhe të shoqërisë kosovare./Katror.info











