Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka vendosur të ndalojë importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Hungaria, pas konfirmimit të rasteve të gripit të shpezëve të llojit HPAI–H5N1 në disa rajone të këtij shteti.
Vendimi pason masën e ngjashme të marrë ndaj Italisë dhe bazohet në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian, të publikuar më 4 nëntor 2025. Sipas raportimeve, përhapja e virusit me patogjenitet të lartë është regjistruar si në ferma komerciale, ashtu edhe tek shpezët e egra në zonat Jasz, Nagykun dhe Szolnok të Hungarisë.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore, AUV ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve me origjinë nga zonat e infektuara. Përjashtim bëjnë vetëm ngarkesat e ardhura nga ferma të certifikuara si të paprekura, të cilat gjenden të paktën 50 kilometra larg vatrave të shpërthimit.
Ky kufizim hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet aktiv deri në një rivlerësim të situatës nga autoritetet ndërkombëtare dhe AUV.
Institucioni ka bërë të ditur se po monitoron vazhdimisht gjendjen epidemiologjike dhe po bashkëpunon me agjencitë vendore dhe ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e virusit në territorin e Kosovës./AP/Katror.info











