Rreth 100 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës janë mbledhur sot para ndërtesës së televizionit publik për të protestuar ndaj vonesave të pagave dhe mosrespektimit të të drejtave të tyre ligjore.
Kjo është protesta e tretë që Sindikata e RTK-së mban këtë vit, ndërsa kjo situatë po rrezikon funksionimin normal të këtij institucioni publik, – shkruan Katror.info.
Me pankarta në duar, ata kërkuan zgjidhje urgjente për situatën që po rëndon çdo ditë e më shumë jetën e mbi 700 familjeve të punonjësve.
“Gjendja në RTK është përkeqësuar, ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin. Mbi shtatëqind familje të punonjësve të RTK-së po përballen çdo ditë me probleme për mbijetesë. Presione nga bankat, vështirësi për të paguar faturat e energjisë, ankth i përditshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht më krizë ekonomike, është krizë e identitetit” – tha Gëzim Bimbashi, kryetar i SPERTK-së.

“Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike. Ne nuk jemi pjesë e asnjë partie, jemi punëtorë që kërkojmë atë që na takon me ligj. Deri më sot kemi dëgjuar vetëm deklarata, por asnjë veprim konkret. Prandaj, i bëjmë thirrje publike kryeministrit në detyrë Kurti që të veprojë ashtu si herën e kaluar dhe të mundësojë zgjidhjen e menjëhershme të situatës” – shtoi ai.
Kjo krizë në transmetuesin publik vjen pas mos-transferimit me kohë të buxhetit vjetor, i cili megjithëse është miratuar, nuk është ekzekutuar plotësisht për shkak të bllokadave institucionale. Qeveria e Kosovës në muajin gusht miratoi një huamarrje prej 2.54 milionë eurosh për likuiditet.
Megjithatë, ndërhyrja ishte e përkohshme dhe situata është përsëritur këtë muaj, në një moment kur vendi ka qeveri në detyrë dhe Kuvendi nuk ka ende komisione të formuara, përfshirë Komisionin për Buxhet dhe Financa – organin që duhet të miratojë raportet dhe të lirojë mjetet për RTK.
Në protestë u bë paralajmërimi për grevë të përgjithshme dhe bojkot të punës, në rast se situata aktuale nuk ndryshon.
“Greva fillimisht do të fillojë nga ora 11:00 -12:00. Andaj, kërkojmë nga të gjithë kolegët e televizionit nga kjo orë të mos punohet asgjë. Ndoshta dikush mund të thotë që është kundërligjore, por kundërligjore është edhe me mos me u pagu. Duhet me thanë qartë, me ditë krejt, sepse janë shpërnda propagandat e ndryshme se në RTK janë pagat e mëdhaja. Urdhëroni, hajdeni shihni sa janë pagat në RTK. Lëre që ne s’po mundemi me dalë me kërku rritje, po s’i kemi as këto që jemi duke punu tërë muajin” – u shpreh z.Bimbashi.
Fisnik Dërguti, anëtar i kryesisë, theksoi se gjendja aktuale në RTK pasqyron mungesë stabiliteti dhe probleme serioze në menaxhim, të cilat po ndikojnë në funksionimin normal të institucionit.

“Një gjendje e tillë kurrë nuk ka ndodh në RTK është hera e parë që po ndodh. Pa bord, me ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm, të cilit nuk dihet se në çfarë baze i është vazhduar mandati i UD-së pra rrjedhimisht pa menaxhment funksional dhe me pozita që i vazhdohen pa përfillur procedurat – kjo është një pasqyrë e qartë e krizës menaxheriale që po e mban gjithë sistemin dhe po shfrytëzohet nga jashtë” – tha Fisnik Dërguti, anëtar i kryesisë.
Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, theksoi se kërkesa për pagë nuk është privilegj, por e drejtë themelore.

“Mirë që u gjetën para për studentët, mirë që u gjetën para për pensionistët, në këtë mënyrë është dashur të gjenden mjete edhe për Radiotelevizionin e Kosovës dhe 700 punëtorët e tyre. Mosgjetja e mjeteve të tyre tregon se kryeministri dhe ministri i Financave kanë inatin që e kanë bërë edhe ndaj nesh në shtator. Të kërkosh pagë nuk është privilegj nuk është lutje për të jetuar. Pa pagë është vështirë të përballet një punëtor nga këtu me çmime kaq të larta. Ju priftë e mbara, SBASHK-u do të jetë gjithmonë me ju” – u shpreh z.Jasharaj.
Protestuesit patën përkrahje gjithashtu nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Sot, këtu, para gjithë opinionit publik, po e them qartë: BSPK qëndron me punëtorin, me protestën e drejtë, qëndron me të vërtetën e tij. Punëtorë të respektuar, sindikalistë të dashur ju që jeni këtu, ju jeni zëri i shoqërisë edhe sot është dita që shoqëria të dëgjojë zërin e juaj, i bëjmë thirrje institucioneve, i përmendëm edhe një herë, mos heshtni, mos e shmangni dialogun, dialogu social nuk është dobësi, dialogu social është urtësi” – bëri thirrje Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu mbështetje për punëtorët e RTK-së, duke kërkuar nga autoritetet të ndërmarrin hapa urgjentë për të zgjidhur çështjen e pagave të prapambetura dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës edhe një herë gjatë gjithë kohës qëndron në përkrahje dhe solidaritet të plotë me të gjithë kolegët e RTK-së. Është për keqardhje që jemi në mesin e muajit nëntor dhe pagat e 700 kolegëve të Radio Televizionit të Kosovës ende nuk janë ekzekutuar, ka qenë një krizë e paralajmëruar, e pritshme, dhe e gjithë përgjegjësia për këtë krizë bjen në Qeverinë aktuale të Kosovës, në qeverinë në largim, që njëjtë kishte rezistuar në korrik për të gjetur një zgjidhje. Pra, thirrja jonë është që tashmë edhe që ka përfunduar fushata për zgjedhjet e lokale të ketë një përkushtim të Qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje për të evituar këtë grevë por nëse greva ndodh, jemi absolutisht në përkrahje” – tha Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.
Aktualisht Kuvendi i siguron buxhetin e RTK-së përmes Buxhetit të Kosovës, sepse që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, RTK nuk mund të financohet përmes taksës së TV-së pa u bërë ndonjë ndryshim ligjor. Buxheti i miratuar për RTK për vitin 2025 është 8.9 milionë euro, por transferimi i tij është bllokuar për shkak të mosformimit të komisionit të Kuvendit që duhet të shqyrtojë raportin e RTK-së dhe të lirojë fondet. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë thirrje që të formohen komisionet parlamentare në Kuvendin e Kosovës për të proceduar me lejimin e fondeve.
Lidhur me krizën edhe Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndërhyrë në funksion të zhbllokimit të situatës. Në anën tjetër, ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka thënë se disa parti parlamentare po pengojnë formimin e komisioneve parlamentare, dhe për këtë arsye “RTK-ja po lihet pa buxhet”.
Edhe organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës të zhbllokojnë urgjentisht buxhetin e RTK-së, të sigurojnë pagat e punëtorëve dhe të stabilizojnë menaxhimin e transmetuesit publik./Katror.info.

















