Misionin për të bashkuar zemrat e të gjithë shqiptarëve përmes muzikës së saj e ka arritur me këngët që dëgjohen e këndohen nga të gjitha gjeneratat.
Për 50 vite me radhe Shkurte Fejza i dha shumë shqiptarëve me tekstet e zërin e saj dhe si shpërblim mori dashurinë e pa kusht të të gjithëve. Duke promovuar vlerat kombëtare dhe rrëfimin e vuajtjeve dhe sfidave të popullit tonë në rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë, Shkurte Fejza është emri që për 5 dekada mblodhi të gjithë rreth vetes.
Si falënderim për të gjithë mbështetjen e publikut dhe bashkëpunëtorëve në këtë rrugë të gjatë, bilbili i këngës shqipe po vjen në Prishtinë me një koncert madhështor më 8 qershor. Teksa kanë mbetur edhe pak ditë deri tek ngjarja që do të shënojë 5 dekadat e saj në skenë, përgatitjet tashmë janë drejt fundit.
Fejza u shpreh e lumtur që ka fatin të punojë me njerëz kompetent dhe dashamirë të muzikës, si dhe sipas saj përgatitjet po shkojnë shumë mirë.
“Provat po shkojnë shumë mirë, unë do të thoja që jam me fat sepse janë njerëz kompetent, që janë marrë dhe po merren me këtë punë, dashamirë, miq, dhe po ma krijojnë një akomodim, sepse po ndihem mirë, si dhe po ma krijojnë edhe një siguri”, u shpreh ajo për televizionin T7.
Ndërkaq, pjesa e këtij koncerti madhështorë i cili po organizohet nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sportit do të jenë edhe amsambli “Shota” dhe Filharmonia e Kosovës.
Orkestra me në krye me mjeshtrin, Valton Beqiri po kujdeset për çdo tingull që do të jehojë natën e 8 qershorit.
“Tash jemi në atë fazën më delikate, po them, edhe ndoshta pak më monotone, pasi që kemi të bëjmë me ndonjë gabim teknik, në aspektin e formës…. është e domosdoshme pasi që kur të pastrohen orkestrimet, atëherë çdo gjë ka me shku në rregull. Kemi pasë prova në grupe të veçanta, tani po mblidhemi bashkë, dhe shpresoj që, meqë kemi mjaft kohë para vetes, jam i bindur që do të ketë sukses edhe këto prova, po edhe ky koncert”, u shpreh Valton Beqiri.
Ai gjithashtu u shpreh se koncertin do të përfshijë një numër i madh i këngëve.
“Pavarësisht se do të jetë një numër i madh i këngëve, ka qenë dëshira e kolegës, Shkurtes, që të përfshijë sa më shumë dhe problemi më i madh ka qenë tek përzgjedhja e këngëve”, shtoi Beqiri./Katror.info