Presidentja e Kosovës Vjosa Osmanin në një takim me Odën Ekonomike Amerikane dhe përfaqësuesit nga Google dhe Amazon ka thënë se në takim është diskutuar bashkëpunimi ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimi digjital.
“Diskutuam për perspektivën ekonomike të vendit tonë dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Synimi ynë është përfshirja e plotë dhe e saktë e Kosovës në platformat më të mëdha digjitale globale, për të fuqizuar sektorin privat në vend, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe për të avancuar më tej marrëdhëniet tona bilaterale,” ka shkruar Osmani.
Gjuha shqipe, në këtë rast edhe Kosova, është penalizuar duke mos qenë pjesë e platformave Google Ads dhe Adsense.
Kohë më parë Elton Heta që është me profesion IT dhe Web Developer ka nisur një peticio që gjuha shqipe të jetë pjesë e këtyre platformave Google Ads dhe Adsense.
Ndërsa nuk ka ende diçka konkrete pas lansimit të këtij peticioni, njohësi tjetër i teknologjisë dhe CEO i Shkollë Digjitale, Darsej Riza, ka thënë se takimi i Osmanit është shumë më i rëndësishëm se shumë gjëra tjera.
“Me na u lshu Google ads, na hapet mundesia me reklamu ne Google, me monetizu ne Youtube, me lansu produkte ne Playstore. Kjo e rrit ekonomine e vendit dhe inovacionin ne shume dimenzione. Njejt edhe per Amazon!
Shpresoj qe ky takim ka me rezultu ne pergjigje pozitive prej ktyne gjigandeve boteror,” ka shkruar ai në Facebook./Katror.info