Në bashkëpunim me teatrin “ADRIANA”, PriFest po mbyll me sukses aktivitetin vjetor MOVING CINEMA në qytetin e Ferizajit. Kjo ngjarje, që shënon përkushtimin ndaj promovimit të artit filmik në Kosovë, do të mbahet më 19 dhjetor 2024, në ora 19:00.
“Publiku do të ketë mundësinë të shijojë dy filma të jashtëzakonshëm nga regjisorja Aulona Selmani.
“Si në vaj” – Fitues i edicionit të 15-të të PriFest në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm.
Sinopsisi: Një histori prekëse për Nadien, luajtur nga aktorja e mirënjohur Ilire Vinca, e cila përballet me vëzhgimin dhe kontrollin e kunatave të saj rebele, ndërsa një autoportret nga e kaluara e saj trondit mënyrën e saj të jetesës.
“And the Wind Weeps” – Fitues i edicionit të 16-të të PriFest në të njëjtën kategori”, thuhet në njoftimin e PriFest.
Sinopsisi: Një tregim i fuqishëm për Dautin, një të mbijetuar të një masakre tragjike, i cili lufton mes kujtimeve të dhimbshme dhe kërkimit të drejtësisë për të kaluarën e tij.
Hyrja është falas, duke ofruar një mundësi unike për të reflektuar mbi fuqinë e kinemasë si zë i historive më të thella të shoqërisë sonë. PriFest përmbyll kështu një vit të mbushur me aktivitete që kanë forcuar pozitën e tij si platformë e rëndësishme për artin filmik./Katror.info