Korça, e njohur si “Parisi i Vogël”, mirëpret çdo vit mbi gjysmë milioni vizitorë që kalojnë të paktën një natë në këtë qytet, një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me vetëm 50 mijë vizitorë një dekadë më parë, shprehet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë kësaj periudhe, qyteti juglindor ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm turistik, me më shumë se 160 bujtina që sot janë të mbushura plot çdo fundjavë nga vizitorë të shumtë.
Kryeministri Edi Rama ndau këto të dhëna përmes rrjeteve sociale, duke theksuar ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Korçë gjatë viteve të fundit.
“Një dekadë më parë, nuk kishte këmbë të huaji dhe bujtinat numëroheshin me gishta, duke luftuar për të mbijetuar. Sot, Korça është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj,” deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu se Korçës i ka ardhur radha për të pasur qendrën e parë të skive në Shqipëri, një projekt ambicioz që synon ta vendosë qytetin në hartën evropiane të turizmit dimëror.
“Ky projekt do të ndezë një motor të ri ekonomik për të gjithë qarkun e Korçës, duke sjellë zhvillim të mëtejshëm. Përmirësimet në infrastrukturën rrugore, veçanërisht lidhjet me Kolonjën dhe Përmetin, kanë shtuar një tjetër vlerë në ofertën turistike të kësaj zone,” shtoi Kryeministri.
Videon e tij Rama e mbylli me një mesazh optimist: “E mira më e madhe është ende përpara, jo vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë”, tha ai. /Katror.info
Përgatiti:
