Dokumentari “Afterwar” nga regjisorja Birgitte Staermose është nominuar për çmimin prestigjioz “Robert Prisen 2025”, një ndër vlerësimet më të rëndësishme në kinematografinë daneze, i ndarë nga Danish Film Academy, shkruan Katror.info.
Lajmi u bë publik nga Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një komunikate për media, ku theksohet rëndësia ndërkombëtare e këtij projekti artistik. “Nominimi për Robert Prisen nënvizon rëndësinë e filmit në nivel ndërkombëtar, duke e vendosur atë mes projekteve më të vlerësuara artistike të vitit”, thuhet në njoftim.
Për filmin
“Afterwar” apo “Pas Luftës” është xhiruar përgjatë 15 viteve. Regjisorja Birgitte Stærmose fillimisht takoi protagonistët e filmit në vitin 2008, kur ata ishin fëmijë që shisnin cigare dhe kikirikë në rrugët e Prishtinës pas luftës. Ajo u rikthye në vitin 2018 për të vazhduar xhirimet edhe për pesë vite të tjera, duke dokumentuar jetën e tyre si të rritur.
Filmi bazohet në përvojat e jetuara të protagonistëve, duke u ndërtuar përmes intervistave të thelluara dhe një procesi bashkëkrijimi me ta. Historia rrëfehet përmes monologëve drejtuar kamerës dhe skenave të inskenuara, të interpretuara herë nga aktorë profesionistë e herë nga amatorë. Ky nuk është një dokumentar i zakonshëm dhe as një film fiktiv klasik, por një testament performativ që tregon si lufta vazhdon të jetojë brenda njerëzve, edhe kur përleshjet kanë përfunduar./Katror.info