Sot u diskutua raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2023 mbi zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky raport thekson nevojën për një koordinim të forcës mes institucioneve, trajnime të detyrueshme kundër diskriminimit dhe përmirësim në mbledhjen e të dhënave, shkruan Katror.info.
Gjatë fjalës së tij, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka kërkuar më shumë bashkëpunim institucional për të mundësuar mbledhjen e të dhënave të sakta dhe për të siguruar një zbatim të plotë të ligjit. Ai theksoi se mungesa e të dhënave është një ndër sfidat kryesore që pengon implementimin efikas të këtij ligji.
Qelaj tha se, që nga miratimi i ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi në vitin 2015, ka pasur përparime, por që edhe pse është bërë një vlerësim i ligjit deri në vitin 2024, akoma ka sfida të mëdha. “Çdo punë e parë ka sfidat e veta duke parë edhe fushën delikate të të drejtave të njeriut. Është e nevojshme që institucionet të përmirësojnë kapacitetet e tyre për të mbledhur të dhëna dhe për të ofruar informacion të saktë për të mundësuar përmbushjen e ligjit,” theksoi Qelaj.
Në këtë kontekst, Eva Palatova, zëvendëse e shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi se vlerat fundamentale të barazisë dhe të drejtave të njeriut duhet të mbrohen me forcë për të parandaluar diskriminimin.
“Për BE-në, është thelbësore të sigurohet mbrojtja kundër diskriminimit. Barazia, pavarësia nga origjina, seksualiteti, etnia apo aftësitë e kufizuara janë vlera që shoqëria duhet t’i mbrojë dhe promovojë. BE-ja ka ndërmarrë hapa të shumtë për të siguruar që kjo mbrojtje të funksionojë,” tha Palatova, duke shtuar se ky është një angazhim gjithëpërfshirës që kërkon bashkëpunim të fortë ndërinstitucional.
Gjithashtu ajo rikonfirmoi mbështetjen e BE për Kosovën ndaj luftës kundër diskriminimit.
“Diskriminimi kërcënon të drejtat e njeriut, bashkëjetesën paqësore dhe demokracinë. BE-ja qëndron fort në përkrahje të institucioneve të Kosovës për avancimin e barazisë dhe ruajtjen e vlerave evropiane”, shtoi Palatova.
Ky aktivitet është pjesë e veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në kuadër të Iniciativës Horizontale III për “Kundër Diskriminimit dhe Urrejtjen” në Kosovë, që ka për qëllim forcimin e përshtatjes së Kosovës me kornizat ligjore të BE-së dhe krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse./Katror.info