Dizajneri Valdrin Sahiti fitoi njohje ndërkombëtare kur krijimet e tij të modës tejkaluan Atlantikun. Tash synon njohje globale.
Nga rrugët e ndotura të Prishtinës, vetëm një ashensor të ndan nga universi paralel i Valdrin Sahitit, plot shkëlqim dhe elegancë. Dyert hapen dhe zbulojnë një paradë manekinësh dhe modelesh të veshura me fustane dhe veshje të shndritshme e të punuara me kujdes, shkruan Bloomberg, përcjell Katror.info.
Atmosfera e rafinuar e punëtorisë së stilistit dallon në Kosovën e tij të lindjes, një shtet i vogël ballkanik më i njohur për historinë e tij të trazuar sesa për modën e lartë. Pikërisht këtu, Sahiti, 39 vjeç, ka krijuar veshje për Beyoncé, familjen Kardashian dhe, së fundmi, edhe për Jennifer Lopez.
“Është si ëndërr,” thotë Sahiti, i veshur me një kostum jeshil, në një intervistë me gazetarë ndërkombëtarë brenda studios së tij në Prishtinë. “E realizuam me njerëz nga Kosova dhe ia dolëm për 20 vjet,” thotë ai për suksesin e tij në rajon. “Tani po kërkojmë diçka tjetër, një botë të re.”
Rruga e Sahitit nga rritja mes rrënojave të pasluftën në ish-Jugosllavisë deri tek veshja e yjeve të njohur botërorë është e jashtëzakonshme. Edhe pse ka fituar pozitë të rëndësishëm në industrinë konkurruese të modës, ai vazhdon të zgjerojë ndikimin e tij.
Kanë kaluar më shumë se tri vjet që nga momenti kur emri i tij u përmend në revistën Vogue, si krijuesi i fustanit të zi që Beyoncé veshi në Festivalin e Filmit BFI në Londër. Tani, veshja e Jennifer Lopez për premierën e Kiss of the Spider Woman në Festivalin e Filmit Sundance 2025 ka tërhequr vëmendjen globale. Hapi i radhës, sipas Sahitit, është një ftesë për Javën e Modës në Paris ose futja e markës së tij në dyqane të mëdha ndërkombëtare.
Pavarësisht suksesit, studioja e tij në katin e dytë të një ndërtese modeste në rrugën drejt aeroportit të Prishtinës mbetet qendra e perandorisë së tij në rritje.
Një nga kërkimet më të zakonshme në Google për Valdrin Sahitin është kombësia e tij. Ai filloi karrierën në periudhën pas luftës në Kosovë, një konflikt që la mbi 13,000 viktima. NATO ndërhyri në qershor të vitit 1999, ndërsa Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Sot, në vend janë ende të pranishëm rreth 4,500 paqeruajtës të udhëhequr nga NATO.
Familja e Sahitit, si shqiptarë të Kosovës me besim mysliman, ka përjetuar tensionet etnike, që nga shtypja e gjuhës gjatë regjimit jugosllav deri te humbja e të afërmve gjatë luftës. Ai thotë se këto përvoja e kanë formësuar qasjen e tij ndaj jetës dhe biznesit. Pavarësisht se disa klientë/et të tij janë serbë/e, ai refuzon të shesë në tregun serb apo t’i veshë të famshmit nga ai shtet.
“E kam ndjerë çdo pengesë,” thotë ai në anglisht. “E kuptoj vlerën e të qenit gjallë. Kjo më ka ndihmuar shumë në konsistencën time në biznes.”
Në fillim, ideja për të qenë stilist ishte “weird” për shumë njerëz, thotë Sahiti. Para se të mbushte 20 vjeç, ai krijonte fustane për mbrëmje mature dhe për personazhe të njohur të televizionit shqiptar. Ai nuk kishte frikë të sfidonte kulturën mashkullore të Ballkanit, shpesh duke veshur kostume rozë apo çorape me ngjyra të ndezura.
Krijimet e tij gjithmonë kanë reflektuar origjinën e tij, një vend që për shekuj ka qenë urë lidhëse midis Lindjes Osmane dhe Evropës. “Jam gjithmonë në mes, edhe kur krijimet e mia janë shumë ekstravagante,” thotë ai.
Fustanet e tij të para shiteshin për rreth 300 euro — një shumë më e madhe sesa rroga mujore e nënës së tij, e cila punonte si mësuese. Gradualisht, ai e zgjeroi biznesin e tij në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Por, si Kosova, edhe ai u përball me sfida: për vite me radhë, vendi nuk kishte një kod ndërkombëtar telefonik dhe ende nuk është i njohur në platformat digjitale si Google Maps. Gjithashtu, pagesat përmes PayPal nuk janë të mundshme.
Klientët që dërgonin mijëra euro për fustanet e tij shpesh dyshonin nëse bëhej fjalë për kompani mashtruese. Po ashtu, për të udhëtuar drejt klientëve të tij të pasur, ai duhej të kalonte ditë të tëra nëpër ambasada për të siguruar viza. Disa vende të BE-së, përfshirë Spanjën dhe Greqinë, ende nuk e njohin Kosovën si shtet.
Suksesi ndërkombëtar erdhi rreth vitit 2016, kur Sahiti vendosi të fshinte të gjitha postimet e tij në rrjetet sociale dhe të riformësonte markën e tij duke treguar fustanet vetëm në kukulla pa kokë.
“Telefoni im vazhdonte të zhurmonte me njoftime,” thotë ai. Dhe mesazhet ishin në anglisht, jo në shqip. “Në vend të ‘Mirëmëngjesi’, ishte vetëm ‘Hello’ dhe ‘Hi’. Aty kuptova që biznesi im po bëhej global.”
Kur erdhi një telefonatë për të dizajnuar një fustan për Beyoncé, ekipi i tij mendoi se ishte shaka. Ai i bindi të punonin në të, edhe pse nuk kishte një konfirmim nga këngëtarja. Ai e krijoi fustanin, por Beyoncé s’e veshi kurrë.
Megjithatë, disa vite më vonë, ai pranoi kërkesë tjetër për të dërguar një fustan për të. Prapë, ekipi dyshoi, por këtë herë, ata dërguan një fustan të kuq mëndafshi me një prerje të lartë dhe një dekolte të veçantë. Kur Sahiti e pa Beyoncé të veshur me të në gala-në para Grammy 2020, e kuptoi se kishte arritur diçka të madhe.
Sot, Sahiti punëson mbi 100 persona dhe prodhon deri në 100 fustane nusërie dhe elegante në muaj, me çmime nga 800 deri në 7,000 euro. Fustani i J.Lo për premierën në Sundance kushtoi rreth 2,200 euro. Shumica e shitjeve të tij realizohen në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Nigeri. Ai po shqyrton gjithashtu krijimin e një linje më të përballueshme për tregun ballkanik.
Për të ardhmen, ai mund të zhvendosë prodhimin në vende si Shqipëria ose Portugalia për shkak të mungesës së punëtorëve të aftë në Kosovë. Por vizioni i tij mbetet i njëjtë: “Gjithmonë kam punuar me një sy nga e kaluara dhe një sy nga e ardhmja”, thotë Sahiti “Kam qenë dhe jam për përzierjen e duhur mes gruas me klas dhe seksi”, përfundon Sahiti intervistën për Bloomberg.
Marrë nga Bloomberg, përkthyer dhe përshtatur nga Katror.info.