Në një kohë kur rritja e çmimeve ka bërë jetën e përditshme më të vështirë për shumicën e qytetarëve të Kosovës, një iniciativë e aktivizmit qytetar ka marrë hov – bojkoti i marketeve.
Kjo nismë, e cila nisi në Kroaci, si një reagim spontan ndaj rritjeve të pajustifikuara të çmimeve, u mor shpejt si model nga shtetet e tjera të Ballkanit.
Nisma u përhap edhe në Kosovë, ku brenda më pak se dhjetë ditësh u grumbulluan mbi 7 mijë anëtarë aktivë në faqen Kosova Bojkoton në Facebook, dhe po sipas kësaj faqeje mori mbështetjen e rreth 200 mijë qytetarëve në rrjetet sociale.
Bojkoti i parë u mbajt më 10 shkurt, ndërsa për shkak të efektit të vogël, organizatorët njoftuan se bojkoti i dytë planifikohet të mbahet edhe më 15-16 shkurt.
“Të dashur anëtarë, çdo ditë varfërohemi duke paguar çmime të larta pa sens. Ndaj, shpërndajeni këtë nismë dhe bëhuni pjesë e këtij aktivizmi qytetar, i cili mund të hyjë në histori si nisma e parë e konsumatorëve për një ndryshim të vërtetë!’’, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ky bojkot është një kërkesë për rregullimin e tregut dhe ndalimin e praktikave të mashtrimit me çmime.
Krahasime të shumta të çmimeve të Kosovës me ato të Evropës Perëndimore, janë bërë nga qytetarët online, duke shprehur pakënaqësinë dhe çudinë me çmimet në Kosovë, madje edhe për produktet të cilat Kosova i eksporton, siç është kafeja 500 gramëshe që kushton më lirë jashtë, pra 5.95 sesa në Kosovë, 7.99 euro.
E kësaj nisme për bojkot ju bashkua edhe Selatin Kaçaniku nga organizata për mbrojtjen e konsumatorëve “Konsumatori”, i cili e vlerëson këtë si një moment reflektimi për ndërgjegjësimin e konsumatorëve në Kosovë.
“Duhet ta lavdëroj punën e çunave dhe çupave ideatorë dhe organizatorë të bojkotit të cilët i kam përkrahur me mish e me shpirt, me aq sa kam mundur dhe me konsulencë, njësoj siç i kam uru edhe kolegët në Kroaci dhe të tjerët. Mendoj që e arritura është edhe më e madhe dhe më e lartë se që ne kemi mundur të presim ose të ëndërrojmë, sepse ishte e para ishte me pa përvojë dhe ishte pa mbështetje materiale, financiare ose teknike të askujt. Qeveria dhe partitë politike, të parën gjë që duhet ta bëjnë është që ta njohin qytetarin konsumator dhe ta njohin kauzën e qytetarit konsumator, i cili njëherësh është edhe taksapagues i tillë edhe gjenerues kryesor i buxhetit, prej nga financohet edhe Qeveria dhe Kuvendi“, thotë Kaçaniku në një intervistë për Katror Media.

E në këtë kohë, Kaçaniku këshillon qytetarët që të jenë të vëmendshëm ndaj produkteve që blejnë si dhe mashtrimeve me çmime, duke ndjekur hapa konkretë.
“Kur të shkojmë në markete, duhet të shkojmë esull, jo të uritur, jo të ngopur së tepërmi, jo me shoqëri, jo me familje. Në market duhet të jemi plotësisht të përqendruar, të lexojmë deklaracionet dhe t’i mbajmë mend çmimet. Cili çmim ka qenë dje e pardje, cili çmim është sot, sepse ne vazhdimisht po kemi mashtrime. Po na imponohet një çmim gjoja se ka qenë çmim përpara, për të na ofruar një çmim gjoja se të ulur, në të vërtetë çmimi i ulur është po ai që ka qenë dje“, shton Kaçaniku.
“Mashtrime të tilla po kemi shumë. Unë nuk di a ka Ministria e Financave inspektor financiar, inspektor të çmimeve, inspektor të Lekut (parasë) ose kushdo tjetër, ose qofshin edhe inspektorë të tregut që i ka MINT-i, por dikush duhet t’i ndjekë këto dhe mos të mjaftohet me ndëshkime, me gjoba edukuese, por atij/asaj, që e përsërit gabimin, besa le t’ia heq edhe licencën e punës, ” shprehet ai.
Ndërkohë, qytetarët që i janë bashkuar këtij bojkoti shprehen të vendosur që kjo nismë të vazhdojë derisa çmimet të stabilizohen.

“Jam pro bojkotit se qytetarët ne e dimë çfarë paga kanë dhe çmimet janë shumë të larta për ato paga, bile dje i pashë ato çmimet e ‘Milka-‘ve që janë kanë diku një euro, tash ishin bo dy e gjysmë dhe vendosëm me dalë në dietë krejt për shkak të çmimeve. Unë mendoj që duhet me bojkotu krejt, se ne ngritemi në protesta për sende të paarsyeshme e këto që janë ma madhore dhe i prekin krejt qytetarët drejtpërdrejt, nuk i bojmë. Kështu që ju kisha sugjeru krejtve edhe bojkoti mos me qenë veç për një ditë, por me qenë me javë dhe me pa krejt marketet që përnime qytetari është pika kryesore e shtetit e jo çmimet edhe kompanitë private,” thotë një qytetare nga Prishtina.
“Normal që duhet me bojkotu patjetër. Është shumë me vend, bile vonë jemi dhe për me bojkotu. Unë punoj jashtë, po jetoj këtu, beso çmimet, për shembull, Zvicër ka çmime që shumë më shtrenjtë këtu se në Zvicër. Te na mungon vetëdija qytetare. Me kanë vetëdija qytetare në nivel, ne kishim ardhë në atë vend ku jemi tu mendu me ardhë“, thotë një qytetar që punon në Zvicër.
“Duhet me i bojkotu marketet dhe qytetarët duhet me bo ndryshimin,” thotë një qytetare tjetër.
Ndërsa Kaçaniku, i ftoi qytetarët të reflektojnë edhe mbi rolin e shoqërisë dhe të qeverisë, duke nënkuptuar që duhet të jemi ne ata të cilët i ndikojmë vendimet e Qeverisë për cilësi më të mirë të jetës.
“Duhet ta bindim partinë dhe Qeverinë, se ato janë në shërbim tonë e jo në të tyre, nuk jemi shërbëtorë të tyre. Domethënë, nëse nuk dimë t’i mësojmë ata, ta mësojmë veten se çfarë duhet të bëjmë për veten tonë dhe për familjet tona, d.m.th, nuk ka më zhvatje, nuk ka më skllavërime, nuk ka më dorë të huaja në xhepat tona, nuk ka më spekulime. Kush mendon të vazhdojë me këto le ta dijë se gjithmonë do të na ketë përballë,” u shpreh ai.

Bojkoti i marketeve tashmë ka marrë vëmendjen edhe në nivel të gjerë rajonal. Sa i përket Kosovës, nisma është shndërruar në një nga fushatat më të mëdha të ndërgjegjësimit ekonomik në vend dhe në rast mospërfillje pritet të vazhdojë.
Sipas Kaçanikut, nëse ky presion vazhdon, tregtarët dhe institucionet do të duhet të marrin hapa konkretë për të rregulluar çmimet dhe për të krijuar një treg më të drejtë për të gjithë, të paktën kështu kanë vepruar edhe shtetet tjera ku filloi bojkoti. Për shembull në Kroaci, ku Qeveria pas takimit me bizneset, njoftoi për një listë me rreth 70 produkte të cilave iu caktua zbritja, ndërsa një prej zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve në Kroaci, “Konzum” njoftoi për ulje të çmimeve për rreth 250 artikuj.
Edicionin #74 të plotë e gjeni këtu!🙂

Përgatiti:
