Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes dhe vetëdijesim gjatë përdorimit të internetit, duke theksuar rrezikun e bullizmit kibernetik dhe rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë, shkruan Katror.info.
Në një postim në Facebook, Policia ka dhënë mesazhe sensibilizuese, duke apeluar që qytetarët të mos bëhen pjesë e bullizmit online dhe të jenë të kujdesshëm me informacionin që ndajnë.
“Kujdes në internet! Kliko mençur, mbroje të ardhmen! Mos u bë pjesë e bullizmit online! Fjalët dhe veprimet në internet kanë ndikim të vërtetë. Mos shpërndani dhe mos përkrahni përmbajtje që lëndojnë të tjerët,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, apeli përfshin edhe rekomandime për ruajtjen e privatësisë dhe shmangien e ndarjes së të dhënave personale me persona të panjohur.
“Ruani privatësinë tuaj dhe mos ndani të dhëna personale me persona të panjohur. Raportoni çdo formë të bullizmit tek autoritetet ose shkolla juaj. Në rast nevoje, kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin 192. Respekto, mbro dhe qëndro i sigurt në internet!”, përfundon thirrja e Policisë së Kosovës.
Ky apel vjen si pjesë e përpjekjeve për të rritur ndërgjegjësimin mbi sigurinë kibernetike dhe për të parandaluar sjelljet abuzive në hapësirën digjitale./Katror.info