Ambasada Gjermane në Kosovë përmes një postimi në Facebook ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re si dhe ka theksuar rëndësinë e stabilitetit politik, shkruan Katror.info.
“Në këto kohë të pasigurta, është thelbësore që partitë politike në Kosovë të tregojnë përgjegjësi dhe të formojnë një qeveri stabile,” thuhet në postimin e Ambasadës.
Duke marrë shembull hapat e shpejtë të Gjermanisë në ndërtimin e koalicioneve pas zgjedhjeve, Ambasada thekson rëndësinë e vënies së interesave kombëtare mbi ato partiake. Ambasada bëri këto komente, ndërsa shpërndau një intervistë të të Dërguarit të Posaçëm, Manuel Sarrazin, i cili për DW theksoi nevojën që partitë kosovare të veprojnë me përgjegjësi.
Manuel Sarrazin, ka kërkuar veprime të shpejta nga partitë politike, duke theksuar se “do të dëshironim që të krijohet shpejt qeveria e re dhe ajo të angazhohet në mënyrë aktive në dialog. Këtë e presim edhe nga Serbia”.
Megjithatë, ai ka sqaruar se ky është një vendim që i takon vetëm Kosovës: “Nuk jemi ne që vendosim se si do të krijohet qeveria në Republikën e Kosovës. Ky është një vendim që e merr Kosova”, u shpreh tutje Sarrazin për DW. /Katror.info