‘’La Femme’’, CD projekti për gratë kompozitore nga e gjithë bota i realizuar me mjeshtëri nga Flaka Goranci e cila është producente, kompozitore dhe këngëtare e këtij projekti të madh, ka nisur udhëtimin ndërkombëtar me Naxos Deutschland, ofruesi më i madh në botë i muzikës klasike.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja, përderisa është shprehur se përmes këtij projekti ka dashur të sjell në vëmendje jo vetëm muzikën e mrekullueshme të këtyre kompozitorëve, por edhe historitë e tyre, veprimet e tyre të guximshme dhe shembujt e tyre magjepsës, shkruan KultPlus.
“Kur fillova këtë projekt, hasa edhe kompozitore gra nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit. Dëgjimi i kësaj muzike më bëri të futem më thellë në këtë përkushtim. Ishte ky momenti kur kuptova se ishte ky grup kompozitorësh të mrekullueshëm që kishte nevojë për më shumë vëmendje. Ky grup i cili në rrethana shumë të vështira kishte arritur të mbetet krijues, i vërtetë dhe unik në këtë formë arti. Prandaj, në këtë projekt mund të dëgjohen të gjitha ngjyrat dhe tregimet e mundshme nga 21 kompozitorë nga e gjithë bota”, shprehet Goranci në lidhje me projektin të cilin e ka shumë për zemër.

La Femme, sjell një CD Album me 21 kompozitore femra nga Lindja e Mesme, Evropa, Ballkani dhe Afrika e Jugut ndër të tjera. Një udhëtim ku mund të ëndërroni, luteni, qani, reflektoni, brohoritni, kërceni dhe dashuroni.
Këto vepra të mrekullueshme janë interpretuar nga ”Orkestra Botërore e Dhomës”, një grup muzikantësh shumë të talentuar dhe profesionistë, të gjithë që jetojnë në Vjenë dhe të gjithë vijnë nga vende të ndryshme. Prandaj, Orkestra mban edhe emrin “Orkestra Botërore e Dhomës”.
Ajo që e bën edhe më të larmishme këtë CD, është ideja që nuk ka vetëm 21 këngë por ka edhe solo piano, violinë, violonçel apo ansamble më të vogla. Unë jam producentja dhe këngëtarja e projektit. Në CD janë dy këngëtarë të ftuar të cilët duhet të mbeten surprizë derisa ta keni CD-në në duar. Mund të them vetëm se ky rrugëtim është bërë shumë i vlefshëm për mua. Veprat dhe gjithashtu historitë pas tyre e bëjnë këtë projekt shumë kuptimplotë.
Përgatiti:
