Ky artikull nga CNN trajton rritjen e përfaqësimit të grave në pozita drejtuese në korporatat japoneze dhe rëndësinë e diversitetit në vendin e punës. Përmes historive të lidereve si Jun Taneie (ANA), Lorena Dellagiovanna (Hitachi) dhe Noriko Harada (AI CROSS), artikulli sjell shembuj konkretë të grave që po sfidojnë normat dhe po kontribuojnë në një mjedis më të barabartë dhe gjithëpërfshirës.
Artikulli nga CNN gjithashtu thekson progresin, sfidat dhe hapat e ardhshëm drejt një tregu pune më inovativ dhe të hapur në Japoni, transmeton Katror.info.
Në vitin 2023, gratë zinin vetëm 8.3 përqind të pozicioneve drejtuese në korporatat private në Japoni, dhe ndër 1,643 kompanitë kryesore të listuara në tregun kryesor të Bursës së Tokios në vitin 2024, vetëm 0.8 përqind kishin CEO gra.
Por kjo narrativë po fillon të ndryshojë, falë një ndërgjegjësimi në rritje mbi vlerën që sjell diversiteti në inovacion dhe suksesin e korporatave. Nga sallat e bordeve në qiellgërvishtësit e Tokios deri te startup-et inovative, gratë po krijojnë hapësira për veten e tyre, duke sfiduar normat dhe frymëzuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Në krye të ndryshimit
Jun Taneie, All Nippon Airways
Anëtare e Bordit, Zëvendës Presidente Ekzekutive – Risk & Pajtueshmëri, Ligj & Sigurime, Administratë e Përgjithshme.
Jun Taneie iu bashkua All Nippon Airways (ANA) pak pasi kompania nisi fluturimet ndërkombëtare. Dikur përballej me mungesën e mundësive për gratë në proceset vendimmarrëse, ndërsa sot është pjesë e bordit drejtues të linjës ajrore më të madhe në Japoni. Përmes karrierës së saj, ajo është rritur dhe ka evoluar bashkë me kompaninë.
Pse është e rëndësishme një forcë punëtore e larmishme dhe e barabartë në aspektin gjinor?
Një vend pune gjithëpërfshirës krijon mundësi për ide dhe perspektiva të reja, duke sjellë shërbime dhe produkte më inovative. Nëse të gjithë mendojnë njësoj, është e vështirë të arrihet diçka e re. Nga ana tjetër, një forcë punëtore e larmishme i ndihmon kompanitë të lidhen me audienca më të gjera. Thënë thjesht, diversiteti është i dobishëm për biznesin.
Barazia gjinore në vendin e punës po avancon, ndërsa ne punojmë në mënyrë aktive për të rritur numrin e grave në pozita vendimmarrëse. ANA Holdings e ka rritur përqindjen e grave në pozita ekzekutive nga 5.3% në vitin 2019 në 24.1% në vitin 2024, përmes trajnimeve, kushteve fleksibile të punës dhe krijimit të mundësive të ndryshme për zhvillimin e karrierës. Objektivi ynë është të arrijmë 30% sa më shpejt të jetë e mundur këtë dekadë.
Për një kompani si e jona që synon të jetë konkurruese në tregun global, është thelbësore të përqafojmë mendime dhe vlera të ndryshme dhe t’i kthejmë ato në rezultate të prekshme, edhe nëse ndonjëherë kjo sjell sfida.
Çfarë sfidash keni hasur si grua në vendin e punës dhe çfarë këshille keni për gjeneratën e ardhshme të grave?
Mundësitë për gratë në proceset vendimmarrëse janë përmirësuar ndjeshëm në 30 vitet e fundit.
Gjatë karrierës, mund të hasni sfida të reja ose të përballeni me vendime të vështira, siç është ndërprerja e përkohshme e punës për shkak të lindjes ose rritjes së fëmijëve. Pavarësisht nga pozita juaj, është e rëndësishme të qëndroni të sigurta në aftësitë tuaja dhe të dëshmoni se mund t’i përballoni sfidat me stilin dhe aftësitë tuaja unike.
A shihen ndryshimet shoqërore të reflektuara në vendin e punës?
Gjeneratat e reja janë më të hapura ndaj përfshirjes dhe diversitetit. Ato kanë pritshmëri më të larta nga kompanitë në aspektin e përgjegjësisë sociale, përfshirjes së perspektivave të ndryshme dhe investimit në liderët e së nesërmes. Sot, talentet e reja janë fuqia punëtore e së ardhmes. Punëdhënësit që kuptojnë dhe përshtaten me këto ndryshime shoqërore mund të sjellin rezultate që janë njëkohësisht të mira për biznesin dhe për shoqërinë – një situatë nga e cila fitojnë të gjithë.
Diversiteti i mendimit si faktor suksesi në biznes
Lorena Dellagiovanna, Hitachi
Zëvendës Presidente e Lartë dhe Zyrtare Ekzekutive, Drejtoreshë e Qëndrueshmërisë, CHRO dhe CDEIO.
Si Drejtoreshë e Qëndrueshmërisë dhe e parë në rolin e CDEIO në Hitachi, Lorena Dellagiovanna u zhvendos nga Milano në Tokio për të ndihmuar në transformimin kulturor dhe zgjerimin global të një prej kompanive më të mëdha publike në botë.
Si po rrit Japonia diversitetin dhe përfshirjen në ambientin e punës?
Në tregun global të sotëm, diversiteti i mendimit dhe një kulturë gjithëpërfshirëse janë thelbësore për inovacionin dhe rritjen. Kompanitë duhet të shfrytëzojnë të gjithë potencialin e fuqisë punëtore, duke rritur pjesëmarrjen e grave në punë dhe duke tërhequr ekspertë ndërkombëtarë për të mbetur konkurruese.
Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë globale, por potenciali i tyre ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Në Hitachi, ne kemi ndërmarrë iniciativa për të krijuar një ambient pune të drejtë dhe gjithëpërfshirës, ku të gjithë, bazuar në aftësitë dhe kompetencat e tyre, mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe të biznesit. Për shembull, kemi nisur programe mentorimi për gratë në rrugëtimin e tyre profesional dhe promovojmë ndarjen e përgjegjësive familjare në Japoni.
Gjithashtu, organizojmë trajnime për paragjykimet e pavetëdijshme, fushata ndërgjegjësimi dhe fuqizojmë punonjësit për të ndihmuar në ndryshimin e kulturës organizative nga niveli bazë. Falë këtyre iniciativave, kemi rritur përfaqësimin e grave në rolet drejtuese, bazuar në meritë.
Si mund të shfrytëzojë më mirë ambienti korporativ në Japoni talentet e ndryshme, përfshirë gratë?
Për të ndihmuar talentet të japin kontributin e tyre, është thelbësore të ketë qartësi mbi rolet dhe aftësitë e kërkuara, si dhe të sigurohen sisteme të drejta për përzgjedhjen e njerëzve të duhur në pozitat e duhura. Ky qasje forcon besimin e punonjësve dhe i motivon ata të përparojnë, duke u siguruar që emërimet të bazohen në meritë dhe aftësi.
Këto ndryshime nuk ndodhin brenda natës. Mbështetja e vazhdueshme nga lidershipi dhe përfshirja e të gjitha niveleve të organizatës janë të domosdoshme. Gjithashtu, na inkurajon fakti që gjithnjë e më shumë burra në pozita drejtuese dhe punonjës të rinj po e mbështesin këtë transformim. Këto tendenca na bëjnë të besojmë se përparimi është i arritshëm.
Cilët janë faktorët kyç për fuqizimin e grave në Japoni?
Krijimi i një kulture gjithëpërfshirëse dhe ofrimi i një ambienti të sigurt psikologjikisht janë kyçe për të nxitur diversitetin. Kjo është arsyeja pse ne e vendosim prioritet krijimin e një mjedisi ku të gjithë ndihen të vlerësuar dhe të respektuar, duke ndërtuar një angazhim afatgjatë. Duke i parë dallimet tona si një forcë, duke bashkëpunuar në vend që të konkurrojmë dhe duke e konsideruar dështimin si pjesë të procesit të mësimit, mund të ndërtojmë vetëbesim dhe të inkurajojmë gratë të marrin përsipër sfida të reja.
Një qasje më efikase
Noriko Harada, AI CROSS
Drejtoreshë Ekzekutive
Pasi kaloi një dekadë në industrinë e IT-së në SHBA, Noriko Harada u kthye në Japoni me familjen e saj të re dhe e gjeti të vështirë të balanconte punën me jetën familjare. Me synimin për të ndihmuar njerëzit të punojnë më efikasitet, ajo themeloi AI CROSS, e fokusuar në revolucionarizimin e platformave të komunikimit.
Sa sfiduese është të udhëheqësh një startup si grua në Japoni?
Startup-et përballen me mungesë të burimeve, si njerëzit dhe financat, ndaj orët e punës janë shpesh të gjata. Kur kompania ime ishte në prag të listimit publik, pata fatin të mund të zhvendosesha më afër qendrës së kujdesit për fëmijën tim dhe vendit të punës, si dhe të kisha mbështetjen e gjyshërve.
Si po përmirësohet diversiteti dhe barazia gjinore në vendin e punës në Japoni?
Përfaqësimi i grave në disa fusha të biznesit është rritur ndjeshëm, por në pozitat teknike dhe inxhinierike, veçanërisht në industrinë e AI/IT, raporti mes burrave dhe grave mbetet i pabalancuar. Kjo nuk do të ndryshojë pa një rritje të numrit të grave në shkencë dhe inxhinieri që nga niveli arsimor.
Në AI CROSS, unë personalisht mentori gra dhe punësojmë profesionistë të huaj për të krijuar një mjedis pune të larmishëm. Gjithashtu, po rritet numri i prindërve, përfshirë baballarët, që marrin leje prindërore, duke lehtësuar ngarkesën mbi gratë.
A i duhen Japonisë më shumë modele të grave në botën e biznesit?
Pa dyshim. Prezenca e grave në vendimmarrje mund të sjellë më shumë racionalitet dhe të përmirësojë komunikimin në ambientin e punës. /Katror.info
Përgatiti:
