Klubi i Pingpongut Prishtina F dhe Prishtina M kanë udhëtuar në Stamboll të Turqisë, për të marrë pjesë në kampin e organizuar nga klubi i pingpongut me një traditë shumë vjecare Beyoğlu Spor Masa Tenisi.
Kampi ka filluar të dielën (11 shkurt) dhe do të zgjasë deri me 17 shkurt i cili për qëllim ka të avancojë lojtarët e grupmoshave të reja të klubeve prishtinase. Kampi mblodhi disa nga lojtarët më të mirë të Stambollit dhe është duke ofruar një program për të zhvilluar aftësitë e lojtarëve dhe të ndajnë ide me njëri-tjetrin, njofton Klubi i Pingpongut Priping.
Kampi përbëhet nga një sërë seancash intensive të stërvitjes dhe ndeshjeve miqësore me ekipet tjera të Stambollit. Lojtarët do të punojnë në teknikat e tyre, të mësojnë strategji të reja dhe të përmirësojnë performancën e tyre të përgjithshme. Kampi gjithashtu ofron mundësinë për lojtarët që të ndërveprojnë me lojtarë dhe trajnerë të tjerë nga vende të ndryshme, duke u lejuar atyre të zgjerojnë horizontet e tyre si dhe të bëjnë miq të rinj.
Udhëheqësi i ekipeve nga Prishtina, trajneri Besart Domaniku u shpreh i lumtur me mikpritjen e ekipit turk Beyoğlu, dhe se pret që pas kthimit nga ky kamp zhvillimor të vazhdohet me këto ushtrime te avancuara edhe në Prishtinë.
“Jemi shumë të kënaqur me mikpritjen e klubit nikoqir, lojtarët tanë po e shfrytëzojnë këtë kamp për zhvillimin e tyre si lojtarë, dhe të njëjtit përfaqësojne klubet e Prishtinës në garat vendore dhe ndërkombëtare. Synojmë që këto ushtrime që po i mësojmë këtu, t’i praktikojmë edhe pas kthimit tonë në Prishtinë. Këtë vizitë e kemi realizuat me përkrahjen e Ministrisë së Sportit të cilët i falenderojmë për mbështetjen” u shpreh Domaniku.
Në kamp po marrin pjesë 4 vajza dhe 4 djem nga klubet Prishtina Femrat dhe Prishtina Meshkujt. Pas kthimit nga kampi, lojtarët do të garojnë në turneun Dita e Pavarësisë, i cili do të mbahet me datë 19 shkurt, në qendrën sportive në Junik./Katror.info