Kompanitë e bioteknologjisë duan të nxjerrin në treg një vaksinë kundër kancerit brenda pak vitesh. Kjo mundësohet nga e ashtuquajtura teknologji mRNA.
E ashtuquajtura teknologji mRNA ka bërë një kthesë revolucionare në mjekësi. Gjatë pandemisë së koronës, falë kësaj teknologjie, u bë e mundur që brenda pak muajsh të zhvillohen vaksina efektive kundër virusit SARS-CoV2, shkaktar i sëmundjes Covid. Falë kësaj teknologjie, vaksinat e përshtatshme mund të zhvilloheshin edhe kur virusi zhvillonte mutacione të reja agresive.
Por teknologjia mRNA, së cilës së fundmi iu dha Çmimi Nobel në Mjekësi, mund të bëjë shumë më tepër se kaq. Ajo i dha një shtysë të re kërkimeve për kancerin.
Kreu i kompanisë së bioteknologjisë Curevac, Aleksander Cender, thotë se dëshiron të nxjerrë në treg një vaksinë kundër kancerit të bazuar në teknologjinë mRNA, më së voni brenda pesë viteve. Nëse do të zhvillohej një vaksinë kundër disa llojeve të kancerit, ëndrra e njerëzimit do të realizohej.
“Kërkimi i vaksinës së kancerit ka vazhduar për 20 vjet – dhe përparimi i fundit është i jashtëzakonshëm,” thotë Cender. “Gjatë pandemisë kemi mbledhur shumë përvojë dhe ndërkohë inteligjenca artificiale është aq e mirë sa zgjidh probleme të shumta në programimin e mRNA”, tha kreu i Curevek në një intervistë për “Bild”.
Një vaksinë kundër kancerit duhet të stimulojë sistemin imunitar të njeriut për të luftuar qelizat tumorale në një mënyrë të synuar. “Gjëja vdekjeprurëse e kancerit është se ai vazhdon të rritet. Një vaksinë kundër kancerit duhet ta ndalojë atë rritje, edhe kur kanceri ka metastazuar. Kanceri më pas do të bëhej një sëmundje kronike me të cilën mund të jetoni për dekada. Kanceri nuk do të jetë më një dënim me vdekje”, parashikon Cender.
Gara për të zhvilluar një vaksinë
Përveç Curevec, kompani të tjera po hulumtojnë intensivisht mundësitë e zhvillimit të një vaksine kundër kancerit. Në fillim të tetorit 2023, kompania bioteknike BioNTech njoftoi rezultate shumë premtuese nga një studim klinik në vazhdim. Ky hulumtim tashmë po teston efektivitetin e vaksinës së kancerit të kësaj kompanie, “CARVac”, te vullnetarët me kancer.
Presidenti i BionNTech, Ugur Shahin, deklaroi se pret që në vitet e ardhshme të ketë një vaksinë kundër kancerit. “Ne besojmë se kjo do të jetë e mundur në një shkallë më të madhe për pacientët para vitit 2030”, tha Shahin në një intervistë për të përjavshmen “Spiegel”.
Shpresa për të sëmurët
Në terma afatgjatë, një vaksinë kundër kancerit duhet të zëvendësojë terapitë aktuale për pacientët me kancer. Ky do të ishte një përmirësim i jashtëzakonshëm, sepse terapitë aktuale, rrezatimi apo kimioterapia, janë një barrë e madhe për pacientët.
“Kimioterapia apo terapia me rrezatim nuk e shkatërron vetëm tumorin, por dëmton edhe indet e shëndetshme. Kjo është arsyeja pse ka kaq shumë efekte anësore me to”, thotë Cender. “Avantazhi i përdorimit të teknologjisë mRNA është se sistemi imunitar stimulohet për të synuar kancerin dhe asgjë tjetër.”
Si funksionojnë vaksinat kundër kancerit?
Qelizat T ndihmojnë trupin të luftojë inflamacionin duke shkatërruar qelizat e sëmura ose duke inkurajuar qelizat e tjera imune të sulmojnë qelizat e sëmura. Por qelizat T e kanë të vështirë të njohin qelizat e kancerit. Por kjo është ajo që mund të bëjnë qelizat CAR-T.
Terapia me ndihmën e qelizave CAR-T është lejuar në Evropë që nga viti 2018 dhe përdoret kryesisht për trajtimin e leuçemisë. Por kjo lloj imunoterapie është ende e vështirë për të pasur qasje për shumë njerëz për shkak të çmimit të lartë. Sipas Qendrës Gjermane të Kërkimit të Kancerit, prodhuesit kërkojnë deri në 320,000 euro për pacient për prodhimin e qelizave imune.
Në këtë terapi, të ashtuquajturat leukocite filtrohen nga qelizat e bardha të gjakut të pacientit, qelizat T. Pas kësaj, ato qeliza T ndryshohen gjenetikisht në atë mënyrë që krijojnë një receptor CAR (Receptor Chimeric Antigen) në sipërfaqe. Është krijuar, pra, një receptor pjesët e ndryshme përbërëse të të cilit nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën.
Vaksinat i bëjnë qelizat tumorale të dukshme
Nëse qelizat CAR-T të prodhuara në këtë mënyrë injektohen në trupin e njeriut, ato më pas bashkohen me qelizat e kancerit në një mënyrë të synuar. Sistemi imunitar aktivizohet dhe sulmon qelizat e tumorit. Një vaksinë e ardhshme mund ta ndihmojë atë proces nëse qelizat CAR-T nuk gjejnë qeliza tumorale ose janë shumë të dobëta për t’i shkatërruar ato në mënyrë efektive.
Proteina claudin-6, e cila shfaqet pothuajse ekskluzivisht në kancer, ndihmon në këtë. Me ndihmën e teknologjisë mRNA, informacioni gjenetik i claudin-6 futet në qelizat e kancerit. Në këtë mënyrë krijohet një antigjen që lidhet me sipërfaqen e qelizës tumorale. Kështu, qelizat e tumorit njihen më lehtë dhe qelizat CAR-T i shkatërrojnë ato më me sukses.
Deri më tani, qelizat T të modifikuara janë përdorur vetëm për trajtimin e leucemisë, por përparimi i shpejtë i teknologjisë së mRNA ngjall shpresën se së shpejti do të jetë i mundur trajtimi efektiv i llojeve të tjera të kancerit, pa efekte anësore të këqija për pacientin. Hulumtimet e deritanishme kanë treguar mundësi premtuese për trajtimin e kancerit të lëkurës (melanoma), kancerit të mushkërive, kancerit të gjirit dhe kancerit të pankreasit./Katror.info