Themeluesi i Amazon Jeff Bezos është njeriu më i pasur në botë, sipas listës së Forbes. Pasuria e tij është vlerësuar me 131 miliardë dollarë. Kjo e bën më të pasurin e historisë moderne, por jo të të gjitha kohërave.
Ky titull i përket Mansa Musa, sundimtarit të Afrikës Perëndimore të shek. XIV, i cili ishte aq i pasur sa dhurata e tij bujare shkatërruan ekonominë e vendit. “Rrëfimet bashkëkohore të pasurisë së Musait të lënë pa mend sa është pothuajse e pamundur të kuptosh sa i pasur dhe i fuqishëm ka qenë ai në të vërtetë”, tha për BBC, Rudolph Butch Ware, profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Kalifornisë.
Mansa Musa ishte më i pasur se çdokush mund ta përshkruante, shkroi Jacob Davidson për mbretin në vitin 2015, në Money.com.
Në vitin 2012, faqja amerikane “Celebrity Net Worth” e vlerësoi pasurinë e tij më 400 miliardë dollarë, por historianët e ekonomisë thonë se është e pamundur që pasuria e tij të vlerësohet me numra.
Mansa Musa lindi në vitin 1280 në një familje sundimtarësh. Vëllai i tij, Mansa Abu-Bakr, drejtoi perandorinë deri në 1312, kur abdikoi për të shkuar në një ekspeditë. Sipas historianit sirian të shekullit 14-të Shibab al-Umari, Abu-Bakr ishte i fiksuyar pas Oqeanit Atlantik dhe asaj që ndodhej përtej tij. Ai thuhet se nisi një ekspeditë me një flotë prej 2,000 anijesh dhe mijëra burra, gra e skllevër. Ata lundruan për të mos u kthyer më.
Disa historianë të ndjerë, si Ivan Va Sertima, thonë se ata arritën në Amerikën e Jugut, por nuk ka asnjë provë për këtë. Sido që të jetë, Mansa Musa trashëgoi mbretërinë që ai la pas.
Nën sundimin e tij, mbretëria e Mali-t u rrit ndjeshëm. Ai aneksoi 24 qytete, përfshirë Timbuktun. Mbretëria e tij u shtri rreth 2,000 milje nga Oqeani Atlantik deri në Nigerinë e sotme, duke përfshirë Senegalin, Mauritanian, Malin, Burkina Fason, Nigerinë, Gambian, Guinea-Bissau, Guinean dhe Bregun e Fildishtë./Katror.info