Shumë aktivistë e aktiviste dhe organizata mjedisore me vite kanë ngritur zërin që natyra, ekosistemi dhe lumenjtë e Maleve të Sharrit të mos preken nga ngritja e hidrocentraleve në këtë zonë të pasur natyrore.
Përmes aktivizmit të tyre dhe vendosshmërisë, qe 5 vite bëhen thirrje, ngriten padi e ankesa, si dhe thirren protesta në mbrojtje të Maleve të Sharrrit.
Sot, i gjithë ky aktivizëm solli rezultate. Në Parkun Kombëtar “Sharri” nuk do të ngriten 3 hidrocentralet, që janë paraparë të ndërtohen në këtë zonë.
Kështu ka njoftuar aktivistja e zëshme dhe drejtuesja e EcoZ, Egzona Shala-Kadiu, e cila u shpreh shumë mirënjohëse për gjithë angazhimin e përbashkët të aktivistëve në këtë kauzë.
“Një aktivizëm i sukseshmëm, na sjell rezultate të mira në mbrotje të natyrës e sidomos ujërave tanë. Faleminderit për mundin, energjinë dhe kontributin që pa ndal e keni dhanë qe 5 vite me ankesa, padi, protesta e me zhurmë. Kemi arritë një fitore të madhe e një gëzim të papërshkruar”, u shpreh Shala-Kadiu.
Vendimi për ndërprerjen e lejeve mjedisore për ndërtimin e hidrocentraleve u mor nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Parku i Sharrit shtrihet në Kosovë, me 1100 km2 dhe Maqedoni të Veriut 500km2, por dallimi është në numrin e Hidrocentraleve. Përderisa atje tashmë janë larguar shtatë hidrocentralet që ekzistonin në Park, sipas EcoZ në Kosovë vazhdon dhënia e lejeve mjedisore për to. Hidrocentralet që janë ndërtuar në zonën e Parkut Sharri janë Viça, Shtrpca dhe Brezovica.
Sipas të dhënave në internet, flora e Parkut Kombëtar të Sharrit përfaqësohet nga 1558 specie të bimëve vaskulare. Fauna përfshin 32 lloje të gjitarëve, 200 lloje të zogjve, 13 lloje të zvarranikëve, 10 lloje të amfibeve, 7 lloje të peshqve dhe 147 lloje të fluturave. /Katror.info