Albin Brahimi, atlet 19-vjeçar nga fshati Petreshticë i Kosovës, ka arritur sukses të madh në sportin e skiimit, duke triumfuar në Olimpiadën Speciale Dimërore Torino 2025, duke fituar medaljen e artë në Giant Slalom (GS), shkruan Katror.info.
Ai ka arritur kohën 1 minutë e 10 sekonda (1:10.420), duke e lënë pas konkurrentët nga shtete të ndryshme si Koreja, Shqipëria, Rumania dhe Turqia. Ky sukses ka vënë në pah mundësitë dhe talentin e jashtëzakonshëm të Albinit në këtë disiplinë sportive.
Ky sukses i Albin Brahimit është një simbol i mundësive që ofron sporti për individët, duke demonstruar se kufizimet ekzistojnë vetëm në mendje dhe se arritjet e mëdha mund të realizohen përmes angazhimit dhe mbështetjes.
Familja e Albin Brahimit dhe Olimpiada Speciale e Kosovës kanë luajtur një rol kyç në arritjen e suksesit të tij, duke ofruar mbështetje dhe motivim për të kaluar çdo sfidë. Falënderime të veçanta shkojnë për trajnerin Flamur Rrahmani dhe drejtoreshën e sportit, Kimete Bekaj, të cilët kanë mbështetur Albinin në çdo hap. Po ashtu, janë falënderuar MKRS, Komiteti Olimpik i Kosovës, dhe drejtuesit e këtyre institucioneve, Afërdita Fazlija dhe Besire Domaniku, për mbështetje dhe motivimin që kanë dhënë që nga fillimi./Katror.info