Aleksandër Bello është 29 vjeç, por përvoja dhe idetë e tij, nuk kanë lidhje me moshën. Është pa dyshim një mendje e ndritur, që e tejkalon moshën biologjike. I riu nga Tirana, prej afro shtatë vitesh punon në kompaninë WhatsApp, në Karolinën e Veriut, në pozicionin e inxhinierit të softuerëve, mirëpo veç kësaj, kompania i ka besuar edhe një detyrë tjetër të rëndësishme: atë të identifikimit dhe përfshirjes së talenteve të reja në këtë fushë.
Për një djalë që kishte studiuar në gjimnazin “Harry Fultz” në Tiranë, ishte e paimagjinueshme të bëhej pjesë e një kompanie gjigante. “Kisha dëshirë të shkoja në Amerikë për studime, sepse atje investohet shumë për shkencën, kërkimin dhe inovacionin. Në fillim aplikova dhe nuk e dija as nëse do të pranohesha, e jo më që të përfitoja bursë. Thjesht e provova dhe rastisi që mora disa përgjigje. Më pas nuk dija se kë të zgjidhja.”
Aleksandri vendosi të ndiqte studimet në “California Institute of Technology”, pranë Los Anxhelosit dhe i përfundoi ato në vitin 2015. Gjatë viteve të studimit, u përfshi në disa praktika, duke krijuar kështu eksperiencat e para profesionale, që e ndihmuan të ngjitej në majat e një kompanie me emër në fushën e aplikacioneve dhe komunikimit në internet, siç është WhatsApp-i.
Pa dyshim që përvoja më e rëndësishme për të deri tani, është ajo në kompaninë WhatsApp, ku fillimisht ishte pjesë e internshipit dhe nuk mendonte se mund të punësohej.
“Unë e përdorja shumë aplikacionin WhatsApp, veçanërisht kur shkova në Amerikë. Në verën e vitit 2014, kompania kërkonte studentë për internship. Shumë shokë të mitë, as që e njihnin si aplikacion, sepse në Amerikë nuk është shumë i përdorshëm, kurse për mua ishte shumë e rëndësishme të përfshihesha në atë kompani. Më pëlqente edhe sepse ishte kompani e vogël (jo si Google apo Microsoft) dhe në kompani të vogla ke mundësi të jesh pjesë e çdo arritjeje të madhe,” tha ai për Living.
Por, sot, WhatsApp-i nuk është më një kompani e vogël, pasi asetet e tij u blenë nga Facebook.
“Kur Facebook-u bleu WhatsApp-in unë isha në praktikë aty. Sigurisht që isha shumë entuziast. Pas blerjes, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Facebook-u ka investuar në shumë aspekte, në infrastrukturë dhe në njerëz. Përveç faktit që tani jemi rreth 70 inxhinierë, nuk jemi prekur shumë nga zgjerimi i kompanisë dhe kemi ruajtur klimën e ngrohtë mes nesh”, – shprehet Aleksandri.
Detyra e tij si inxhinier në WhatsApp, ka të bëjë me kujdesin ndaj serverave që shërbejnë për shpërndarjen e mesazheve. Pra, në njëfarë mënyre, ai bën të mundur shkëmbimin e bisedave tona të shkruara. Gjithashtu, në kuadër të ndryshimeve të fundit që ka bërë kompania, ai kujdeset edhe për sigurinë e komunikimeve verbale.
“Kur vij në Shqipëri, të gjithë më pyesin: ‘A përgjohen bisedat?’ Në sajë të shërbimit Encryption, që prej vitit 2016, është e pamundur të përgjosh një bisedë në Whatsapp”, – shpjegon ai.
Në çfarëdolloj këndvështrimi, është arritje e jashtëzakonshme të jesh pjesë e kompanive si WhatsApp-i dhe Facebook-u. Edhe vetë Aleksandri e vlerëson si një mundësi të madhe dhe na tregon se kolegët e tij janë më të mëdhenj në moshë, e rrethohet ngado me “veteranë”, prej të cilëve ka mundësi të mësojë.
Aleksandri qëndron i lidhur edhe me Shqipërinë. Ai vjen shpesh në Tiranë, jo vetëm për të vizituar familjen, por edhe për të hedhur themelet e projekteve të tij për të ardhmen.
Kur kthen kokën pas për të pare rrugëtimin e tij duket sikur ka ecur me hapa gjigantë, por për djalin nga Tirana, gjërat kanë ardhur gradualisht. Aleksandri është i mendimit se njeriu duhet t’i kujtojë gjithmonë vetes se ku ishte dhe ku është, sepse duke i pare gjërat në retrospektivë, të ndihmon të projektosh të ardhmen. Ai është treguar i fortë dhe i pathyeshëm përballë sfidave dhe gjithnjë e ka pare botën me zemër të pastër, me synimin për ta bërë atë më të mirë.