Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka qëndruar dje në Kosovë ku takoi zyrtarët e lartë shtetërorë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Në vazhdën e këtyre takimeve Rutte ka takuar edhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Orav njofton se u takua me Rutte dhe zëvendëssekretaren e NATO-s, Radmila Shekerinska, me të cilët riafirmoi mbështetjen që Bashkimi Evropian ka për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Dje gjatë vizitës së tyre në Kosovë rikonfirmuan mbështetjen e BE-së dhe të NATO-s. Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtar. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm”, ka thënë ai.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte gjatë qëndrimit në Kosovë pati takime të ndara edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Ato u cilësuan si rikonfirmim i angazhimit të Kosovës për siguri në rajon dhe më gjerë.
Mes tjerash, në Prishtinë ai siguroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe presidenti Donald Trump, mbeten të përkushtuara në KFOR dhe në NATO.
Teksa foli për dialogun Kosovë-Serbi, shefi i NATO-s tha se palët duhet të bëjnë kompromise, ani pse një gjë e tillë siç tha ai kërkon vendime të vështira.
“Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që të zgjedhin diplomacinë para dhunës. NATO do të vazhdojë të mbështes plotësisht normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”. /Katror.info
Përgatiti:
