Ekziston një vend në Siçili ku anglishtja amerikane ka zëvendësuar gjuhën origjinale. Banorët e Sambuca di Sicilia ishin ndër të parët që vendosën të shesin shtëpitë e tyre të vjetra me çmimin simbolik vetëm një euro, për të ringjallur sa më shumë këtë zonë rurale. Shtëpitë janë shitur në programin e qeverisë dhe autoriteteve lokale dhe janë blerë kryesisht nga amerikanët.
Interesimi për këtë projekt u rrit veçanërisht kur lajmi u publikua në ballinën e CNN. Autoritetet lokale më pas shitën 16 shtëpi me çmimin prej një euro. Kjo praktikë u përsërit në korrik 2021, kur 10 shtëpi të tjera të vjetra u shitën për dy euro secila. Pjesa tjetër e shtëpive u shitën përfundimisht në ankand. Çmimet që arritën shtëpitë varionin nga 500 deri në 7000 euro.
“Të gjithë blerësit janë nga Amerika e Veriut”, thotë nënkryetari i bashkisë Giuseppe Caciopo.
Disa blenë shtëpinë e tyre “pa i parë fare”, ndërsa të tjerë i zgjodhën, por përgjegjësia e secilit prej tyre është rigjallërimi i fshatrave dhe zonave rurale. Të lidhur me kontratë, ata duhet të rinovojnë këto prona dhe të investojnë fonde shtesë. Përveç kësaj, ata duhet të rindërtojnë të gjithë infrastrukturën.
Shumë nga pronarët e rinj planifikojnë të transferohen në Siçili dhe të fillojnë biznesin në adresën e re. Disa do të fillojnë një biznes sipërmarrës, ndërsa të tjerë planifikojnë të angazhohen në turizëm. Në pjesën më të madhe, autoritetet lokale të Siçilisë janë të kënaqur. Fshatrat kanë filluar të jetojnë përsëri dhe njerëzit po kthehen.
Edhe pse pandemia dhe kriza globale ishin një rrethanë rënduese, interesi nuk po pakësohet. Ka gjithnjë e më shumë aplikime dhe njerëz të interesuar për të blerë prona. Më e mira nga të gjitha, shumë prej tyre jo vetëm që duan të kalojnë pushime me një çmim të ulët, por edhe të investojnë njohuri dhe para për të ndihmuar në ringjalljen e këtyre fshatrave dhe familjeve rurale./Katror.info