Në Bullgari ka filluar prodhimi i filmit biografik Maria për divën më të madhe të operës së të gjitha kohërave, Maria Callas. Revista Variety publikoi fotot e para nga seti ku mund të shohim Angelina Jolie në rolin kryesor.
Filmi vjen nga regjisori Pablo Larraín, i cili drejtoi filmat e nominuar për Oscar Jackie dhe Spencer. Maria do të jetë filmi i fundit në trilogjinë biografike të regjisorit për gratë me ndikim nga e kaluara.
Sipas përshkrimit zyrtar të filmit biografik të ardhshëm, Maria do të ndjekë jetën e këngëtares legjendare dhe kontroverse dhe fokusi i filmit do të jenë ditët e saj të fundit të kaluara në Paris në vitet 1970, shkruan Katror.info.
Skenari i filmit është shkruar nga Steven Knight, krijuesi i serialit hit Peaky Blinders, dhe përveç Angelina Jolie, në film luajnë edhe Pierfrancesco Favino, Alba Rohrwacher, Haluk Bilginer, Cody Smith-McPhee dhe Valeria Golino.
“Jam shumë i emocionuar për fillimin e prodhimit të filmit Maria, i cili shpresoj se do të sjellë jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të Maria Callas më afër publikut në mbarë botën, falë skenarit të mrekullueshëm të Steven Knight, dhe punës së aktorëve dhe tërë grupit të filmit – veçanërisht Angelina Jolie, e cila u përgatit në mënyrë të mrekullueshme”, tha Larraín./Katror.info