Grupi legjendar, AC/DC, u rikthye në skenë këtë muaj pas shtatë vitesh. Rokerët e kultit performuan në festivalin Power Trip në Kaliforni, ku ishin tubuar 80,000 shikues.
“Sa e mrekullueshme është kjo?” pyeti publikun frontmeni, Brian Johnson, i cili duhej të tërhiqej në vitin 2016 për shkak të problemeve me dëgjimin. I veshur, si gjithmonë, me xhinse të zeza dhe një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, pak sekonda para fillimit ai shijoi pamjen që vetëm pak vite më parë mendonte se nuk do ta shihte më.
Pastaj filloi Back in Black dhe atmosfera shpërtheu. Në të njëjtin festival performuan edhe Metallica, Guns N’ Roses, Judas Priest, Iron Maiden dhe Tool, shkruan Katror.info.
AC/DC nuk ka zbuluar nëse kjo do të thotë se ata do të kthehen në shfaqje të rregullta. Ju kujtojmë se kitaristi i AC/DC, Malcolm Young, vdiq në vitin 2017. Ai u zëvendësua në festival nga nipi i tij Stevie Young./Katror.info