Apple po prezanton shumë funksione për sigurinë e fëmijëve, përfshirë një që do t’u japë prindërve më shumë kontroll mbi personat me të cilët fëmijët e tyre mund të komunikojnë.
Apple i kishte prezantuar disa nga këto veçori më parë në një dokument të publikuar në fillim të këtij viti.
Këto funksione do të jenë të qasshme me përditësimet iOS 26, iPadOS 26, macOS Tahoe 26, watchOS 26, visionOS 26 dhe tvOS 26, që pritet të publikohen këtë vjeshtë.
Fëmijët do të duhet tani të marrin aprovimin e prindërve kur duan të komunikojnë me një numër të ri. Kërkesat do të shfaqen në aplikacionin Messages, ku prindërit mund të shtypin një buton për të aprovuar ose refuzuar.
Apple gjithashtu po publikon një “PermissionKit” që do t’u lejojë zhvilluesve të integrojnë një funksion të ngjashëm në aplikacionet e tyre, në mënyrë që fëmijët të mund të “dërgojnë kërkesa te prindërit për të biseduar, ndjekur ose shtuar dikë si mik”.
Apple do të vendosë automatikisht filtra për përmbajtje në internet dhe kufizime për aplikacionet për fëmijët nën 13 vjeç.
Për fëmijët nga 13 deri në 17 vjeç, do të aktivizohen mbrojtje të përshtatura për moshën. Mjeti për Sigurinë në Komunikim do të përditësohet për të reaguar kur zbulon lakuriqësi në thirrjet FaceTime dhe për të mjegulluar përmbajtje të tilla në Photos./Katror.info