Arben Shabani është një menaxher i suksesshëm që punon në kompaninë e madhe ndërkombëtare, me seli në Zvicër, Hitachi Energy. Ai udhëheq me një njësi të madhe në Hitachi Energy, me mbi 700 punëtorë, e cila zhvillon, ndërprerësit dhe shpërndarësit e tensionit të lartë prej 66 mijë deri 1100 mijë volt, në gjithë botën.
Shabani, në një intervistë për Albinfo.ch flet për rrugën e tij jetësore, motivimin që ka pasur për të arritur këtu ku është sot, për sfidat, planet etj.
Shabani tregon me çfarë peripecish u ballafaqua kur erdhi si 16 vjeçar në Zvicër.
“Erdha si 16 vjeçar në Zvicër dhe fillimisht mësova gjuhën gjermane në disa kurse integruese. Pasi që nuk kisha vizituar shkollë të rregullt në Zvicër mu dha e vetmja mundësi: të filloj mësimin e një profesioni (Lehre) te kompania ndërkombëtare ABB.”
“Aty filloi arsimi profesional dhe karriera ime, kisha mundësinë që çdo 3-4 vjet të ushtroj një pozitë të ndryshme në një kompani të madhe me famë botërore, teknologji të jashtëzakonshme dhe me prodhime e eksporte pothuajse në të gjitha shtetet. Kështu që herët mu dha mundësia të vizitoj klientët, fabrikat dhe furnizuesit në shumë vende të botës. Kjo më ka ngjallur pasionin për tu marrë me kultura e vende të ndryshme. Gjatë këtyre viteve po ashtu përfundova studimet në inxhinieri të elektroteknikës dhe bëra një Master Shkencor të Ekonomisë dhe Menaxhmentit”, thotë Shabani
Ndonëse i ballafaquar me gjithë këto vështirësi Shabani ia doli ta mbaronte nivelin Master dhe të bëhej drejtor gjeneral i kompanisë “Hitachi Energy”.
“Sot jam drejtor gjeneral, udhëheq dhe kam përgjegjësinë për një njësi të madhe në Hitachi Energy e cila zhvillon, prodhon dhe instalon ndërprerësit dhe shpërndarësit e tensionit të lartë prej 66 mijë deri 1100 mijë volt, në gjithë botën. Aktualisht kam mbi 700 punëtorë, me një treg shumë të fuqishëm që po nxitet nga tranzicioni i energjisë. Po ashtu jam krenar që i kemi realizuar disa projekte për Kosovë siç është projekti në Ferizaj dhe ai në Fushë Kosovë”, tregon Shabani
Në kompanin që Shabani udhëheq ka të punësuar edhe shqiptarë, ndërsa tregon se ata angazhohen në nivele te ndryshme të kompanisë.
“Ne kemi disa shqiptarë të punësuar në Zvicër që janë shumë kompetentë dhe kanë pozicione të ndryshme. Kemi edhe shembuj që ishin për Hitachi Energy në vende të ndryshme të ndërtojnë fabrika apo për zhvillimin e tregut në Kinë, Brazil dhe Kolumbi. Shqiptarët janë në përgjithësi shumë të zellshëm, të motivuar dhe kanë sjellje të mira”, thotë Shabani.
I pyetur se çka duhet të kenë të rinjtë sot për të qenë të suksesshëm në tregun e punës dhe në ndërmarrësi, Shabani thotë se kjo definohet në tri fjali.
“Po e përshkruaj me tri fjali: “provo, mos ngurro”; “merre rrugën e duhur, mos e merr rrugën më të lehtë”; dhe “progreso, mos stagno”. Që të jesh sot i suksesshëm, përveç arsimimit duhet edhe të jesh mendje hapur (open minded) ndaj kulturave, besimeve, mendimeve të ndryshme, po ashtu shumë me rëndësi është edhe networking (puna në rrjet). /Katror.info