Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Tribunali Ad Hoc i Arbitrazhit në Gjenevë ka shpallur më 24 tetor 2025 vendimin përfundimtar në rastin KEK kundër KEDS dhe KESCO (Rasti Nr. 900020-2023), duke konfirmuar plotësisht kërkesat e KEK-ut dhe refuzuar pretendimet e palëve të paditura.
Tribunali ka konstatuar se KEK ka furnizuar energjinë sipas Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), ndërsa KEDS dhe KESCO nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për periudha midis viteve 2020–2024. Gjithashtu, kërkesa e KEK-ut për interesin e vonuar është vlerësuar e ligjshme dhe në përputhje me kontratën, ndërsa vonesat e palëve të paditura nuk janë justifikuar nga asnjë ngjarje force madhore.
Në bazë të vendimit, KEDS dhe KESCO detyrohen të paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro për interesin e akumuluar, si dhe të mbulojnë pjesërisht kostot e procedurës së arbitrazhit. Procedura është zhvilluar sipas UNCITRAL Arbitration Rules (2010) dhe vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm.
Ky rezultat përbën një fitore strategjike për KEK-un dhe sektorin energjetik të Kosovës, duke forcuar pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin institucional të korporatës. KEK ka falënderuar ekipin ligjor të Squire Patton Boggs dhe ekspertët financiarë dhe ligjorë, si dhe Avokaturën Shtetërore të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë procesit të arbitrazhit.
KEK nënvizon angazhimin e saj për zbatim ligjor, transparencë dhe menaxhim të përgjegjshëm, duke vepruar me integritet si ndërmarrja kryesore e sistemit energjetik dhe ekonomisë së Kosovës./Katror.info









