Ardijana Rexhaj është themeluese e platformës, ‘’Kërkoj.com’’, ku mundësohet shitja, berja dhe dhënja me qera e pronave dhe gjërave të tjera.
E rritur në Norvegji, me prejardhje nga Istogu, këtë biznes në Kosovë, ajo udhëheq tash e tre vite.
Në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë, Ardijana tregon për motivet që e kthyen dhe planet për të vazhduar investimet në vendin ku u lind.
‘’Kam pas dëshirë të bëj diçka për vetën, të sfidoj vetën, por gjithashtu të krijoj diçka që mendoj se ka qenë e rëndësishme për Kosovën dhe diasporën dhe kjo më ka shtyrë përpara’’, ka thënë ajo.
Ardijana ishte vetëm 4 vjeç kur migroi me familje në Norvegji. Aty kaloi 25 vjet të jetës së saj, ku edhe diplomoi në fushën e Administrimit të Biznesit. Mirëpo, 32 vjeçarja u kthye në Kosovë për të realizuar qëllimin e saj.
‘’Në fillim kur kam ardhur kam fillu me kërku bashkëpunim me kompani të ndryshme, shumica e kanë mendu që do të qëndroj vetëm një vit dhe do të kthehem në Norvegji’’.
Krijimit të biznesit të saj në Kosovë, asaj i kishte ndihmuar edhe puna e dikurshme me klientë gjatë studimeve në qënder të thirrjeve.
Ideja për krijimin e këtij biznesit Ardijanës i kishte lindur gjatë përpjekjeve të babai të saj për të blerë një pronë në Kosovë, por që kishte hasur në vështirësi për të gjetur, meqë kishte mungesë informacionesh.
‘’Nuk është se i kam njohur shumë ligjet dhe mënyrën e funksionimit të themelimit të një kompanie, dhe çfarë duhet të bësh kur ke puntorë’’, ka shtuar ajo.
Ardijana tani ka 10 të punësuar me të cilët e ndan orarin dhe është e lumtur me ecurinë.
Ajo nuk planifikon të kthehet në Norvegji, por të zgjerojë platformën e saj e cila do t’i ndihmonte diasporën të kenë qasje në informacionet e nevojshme për shit – blerjet në Kosovë. /Katror.info