Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dorëzuar mirënjohje dhe simbolin e kryeqytetit “Hyjnesha në Fron” artistit të njohur Armend Rexhepagiqi, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në kulturën muzikore dhe artistike të vendit.
Rexhepagiqi, një nga figurat më ikonike të skenës muzikore shqiptare, këtë të shtunë rikthehet para publikut me koncertin e titulluar “Dashni e vjetër”, që do të mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Kjo mbrëmje muzikore shënon gjithashtu promovimin e albumit të tij të ri me të njëjtin emër.
Albumi përmban këngë të reja si “Kutia e zezë”, “Boll m’ke dalë”, “Dyfish ma pak”, “S’o dashni”, “Ma ke n’alë” dhe “Krejt Prishtinën për ditëlindje”, që vijnë si vazhdimësi e një krijimtarie të gjatë dhe të dashur për publikun.
Koncerti do të transmetohet nga Radiotelevizioni i Kosovës, sponsor medial i ngjarjes.
Rexhepagiqi është autor i shumë hiteve të njohura si “Dashurinë ku e kam”, “Ti nuk më meriton” dhe “Shkel”, si dhe tekstshkrues i dhjetëra këngëve që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe.