Ndonjëherë hyjmë në një ambient dhe ndjejmë menjëherë qetësi, ngrohtësi apo freski, pa kuptuar menjëherë pse. Shpesh, përgjigjja ndodhet te diçka që nuk shohim, por e ndjejmë: aroma. Shkenca ka treguar se nuhatja është një nga shqisat më të lidhura me kujtimet dhe emocionet. Pikërisht për këtë arsye, era e një shtëpie mund të ndikojë drejtpërdrejt në gjendjen tonë shpirtërore, percjell TAR.
Aromat e buta si lavanda, vanilja ose druri i sandalit janë të njohura për efektin qetësues që kanë. Janë ideale për të krijuar një ambient relaksues në dhomën e gjumit ose sallon. Ndërkohë, aromat agrumore si limoni ose portokalli stimulojnë energjinë dhe freskinë, perfekte për mëngjesin apo zyrën në shtëpi.
Por përtej anës psikologjike:
Aroma e një shtëpie flet shumë edhe për karakterin e njerëzve që jetojnë aty. Një ambient me nota delikate tregon për një frymë mikpritjeje, ndërsa një aromë më intensive si piper i zi apo qelibar tregon vetëbesim dhe stil të veçantë.
Për të krijuar “aromën e shtëpisë” tuaj, nuk ju nevojiten parfume të shtrenjta. Vajrat esencialë, qirinjtë aromatikë, apo edhe gatimi i një torte mund të përçojnë atmosferën që dëshironi. Aroma nuk është vetëm luks, por një mënyrë për të ndërtuar kujtime, për të ulur stresin dhe për të ndjerë që shtëpia është me të vërtetë… shtëpi. Në fund të ditës, nuk është vetëm ajo që shohim që e bën një vend të veçantë, është edhe ajo që ndjejmë. Dhe aroma ka fuqinë të bëjë diferencën, pa thënë asnjë fjalë. /Katror.info