Ylli i Milanit, futbollistja Kosovare Asllani, ka treguar se qysh kur i ka pasur 17 vjet, ka thënë që do të bëhet futbollistja më e mirë në botë.
Kjo, kur e kanë quajtur “Zllatane”, duke e krahasuar kështu atë si lojtare të kombëtares suedeze me Zllatan Ibrahimoviqin, një superyll lazdran i këtij shteti, që ka prejardhje nga Bosnja e Ballkanit.
“Po, gjithmonë kanë dashur të ma ngjesin këtë emër, vetëm se mua nuk është që ma ka ndier shumë. Për mua ka qenë krejt pozitive vetëm se unë nuk kam dashur. Unë jam Kosovare Asllani edhe mjafton” ka thënë ajo në një intervistë ekskluzive me Naile Dema Selmani, për emisionin “Prijmë” të Klan Kosova.
“Gjithmonë ka qenë më shumë presion për mua, por unë kur kam qenë e re, në të parën intervistë që kam dhënë kur kam qenë në Suedi, si 17 vjeçe kam thënë se unë dua të bëhem lojtarja më e mirë në botë. Këtë e kam dashur, ka qenë ëndrra ime, nuk kam frikësuar ta them këtë”.
Asllani ka qenë e para vajzë ”me tjetër ‘background’ të Kombëtarja e Suedisë”.
Ajo e ka pranuar se i është bërë ëndrra realitet kur është ftuar të luajë për Realin e Madridit.
Këtu, ajo ishte futbollistja e parë galaktiko, një status ky që e fitojnë vetëm lojtarët më superiorë në këtë klub spanjoll.
Por, Asllani thotë se jo gjithçka ishte super në Real, njofton Klan Kosova.
“Ëndrra më e madhe ka qenë të luaj për Real Madridin. E kam ndjek atë ëndërr shumë … vetëm nuk ka qenë klubi që u soll më së miri me gra”, ka thënë ajo, duke përmendur një klub tjetër ku ka luajtur si shembull për trajtim të barabartë të ekipit të vajzave dhe djemve.
“Klubi që u soll më së miri me gra, e ku kam luajtur unë ka qenë Manchester City në Angli. Aty kemi pasë mundësi barabar me burra, të njëjtat kushte, të njëjtën fushë, krejt ka qenë barabar…Unë besoj që nuk janë shumë ekipe në botë që punojnë kështu”, ka thënë ajo për emisionin “Prijmë” për Klan Kosova.
E çfarë nuk i pëlqeu Asllanit të Reali?
“Çfarë nuk më pëlqeu ishte qysh i shihnin gratë, nuk kishte barazi…ishte larg nga ajo qysh mua më duket se duhet të jetë në një klub”, tha ajo.
Asllani qëndroi në Real nga viti 2020 deri më 2022. Me këtë klub zhvilloi 46 ndeshje dhe shënoi 19 gola./Katror.info