Jupiteri është trupi i dytë më i madh në të gjithë sistemin diellor, pas Diellit. Është aq i madh sa të gjithë planetët e tjerë të sistemit tonë diellor mund të futen në të. Për shembull, deri në 1300 planete me madhësi të Tokës mund të futen në të. Mesatarisht, është rreth 600 milionë kilometra larg nesh. Me stuhitë e mëdha që shpërthejnë në sipërfaqen e tij, agjencitë hapësinore kanë dërguar mjaft sonda në Jupiter në mënyrë që të mund të hedhim një vështrim më të afërt në atmosferën e tij të egër.
Pavarësisht kësaj, ky gjigant i gaztë arrin të na befasojë edhe sot. Kështu, shkencëtarët vetëm kohët e fundit vunë re një fenomen të paparë më parë në retë stuhie të Jupiterit – një një rrjedhë reaktive me shpejtësi të lartë, rreth 4800 kilometra e gjerë, që nxiton rreth ekuatorit mbi shtresën e reve, shkruan Katror.info.
Ky zbulim, i mundësuar nga teleskopi James Webb (JWST), mund të na japë disa njohuri të reja mbi dinamikën mjaft të çuditshme të motit në Jupiter. “Kjo na befasoi plotësisht. Ajo që ne e pamë deri tani si zona të mjegullta në atmosferën e Jupiterit, ne tani i regjistrojmë si karakteristika të qarta që mund të ndjekim së bashku me rrotullimin e planetit,” tha astronomi Ricardo Hueso nga Universiteti i Vendit Bask në Spanjë.
James Webb është një teleskop hapësinor revolucionar, nëntë miliardë dollarësh me rreze infra të kuqe. Ai është njëqind herë më i ndjeshëm se teleskopi Hubble dhe kryesisht vëzhgon hapësirat ë spektrin infra të kuq, gjë që e lejon atë të depërtojë përmes reve të gazit dhe pluhurit dhe të na japë një pamje në zona të padukshme më parë. Hubble operoi kryesisht në gjatësi vale optike dhe ultravjollcë.
Jupiteri ka një atmosferë vërtet të pazakontë. Grumbujt e tij të reve të lehta dhe të errëta rrotullohen rreth Jupiterit në lartësi të ndryshme dhe lëvizin në drejtime të kundërta. Ne ende nuk e kuptojmë plotësisht pse.
Kur shikoni Jupiterin në gjatësi vale të ndryshme, mund të shihni detaje që nuk janë të dukshme në spektrin e dukshëm. Për shembull, nëse e vëzhgoni atë përmes një teleskopi optik, nuk do të shihni se ai ka aurorat më të forta në sistemin diellor. Pse? Sepse ato aurora “shkëlqejnë” në spektrin ultravjollcë.
Kur JWST hodhi shikimin e tij infra të kuqe mbi Jupiterin në fillim të këtij viti, ne morëm një pamje më të detajuar të atmosferës së sipërme, rajonit misterioz që shtrihet midis 25 dhe 50 kilometra mbi retë, shkruan Science Alert.
Gjatë një analize të detajuar të të dhënave, shkencëtarët vëzhguan një rrjedhë reaktive që më parë e shihnim vetëm si një lloj mjegullimi i paqartë. Hueso dhe kolegët e tij zbuluan se rryma e fuqishme ndodhet rreth 40 kilometra mbi re dhe po nxiton rreth Jupiterit me një shpejtësi të pabesueshme prej 515 kilometrash në orë.
Kjo mund të ketë implikime shumë interesante për modelet e motit të Jupiterit, thonë ekspertët. Astronomët krahasuan të dhënat nga teleskopi Hubble që treguan nivele më të ulëta të reve, të cilat udhëtojnë me gjysmën e shpejtësisë së rrymës reaktive. Është matja më e saktë deri më sot se si shpejtësia e erës ekuatoriale e Jupiterit ndryshon me lartësinë.
“Nëse fuqia e kësaj rrjedhe reaktive lidhet me një model stratosferik lëkundës, ne mund të presim që rrjedha të ndryshojë ndjeshëm gjatë dy deri në katër vitet e ardhshme. Do të jetë vërtet emocionuese të testohet kjo teori gjatë viteve të ardhshme,” tha shkencëtari planetar. Leigh Fletcher nga Universiteti i Leicesterit në Britaninë e Madhe. /Katror.info