Avokati i Popullit, Naim Qelaj i është drejtuar me një letër zëvendëskryeministrit në detyrë , Besnik Bislimi lidhur me situatën e rëndë financiare në të cilën ndodhet Radiotelevizioni i Kosovës (RTK). Në këtë letër, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për pasojat që ka mosalokimi i buxhetit në funksionimin e transmetuesit publik.
Ai fillimisht ka bërë të ditur se më 18 korrik kishte pritur në takim menaxhmentin e RTK-së ku ishte informuar se RTK rrezikon të mbetet pa paga për punonjësit dhe pa mundësi për të mbuluar shërbimet komunale që nga fundi i muajit korrik, për shkak të mungesës së buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.
“Lidhur me ketë çështje, Avokati i Popullit thekson se mos pagesa e pagave cenon të drejtën e rreth 700 punëtorëve në RTK. Gjithashtu kjo ndikon në mosfunksionimin e mirëfilltë në RTK, ndikon drejtpërdrejt në të drejtën për informim përkatësisht lirinë e medieve, si e drejtë e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosoves, dhe konsideron se është obligim i përbashkët institucional që të gjendet një zgjidhje alternative, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e punës së RTK-së”, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit drejtuar zëvendëskryeministrit Bislimi.
Tutje në letër, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se i është drejtuar edhe ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Avokati i Popullit duke pasur parasysh faktin se punonjësit e RTK-së dhe kryerja e obligimeve komunale të RTK-së, janë pezulluar për shkak të mungesës së buxhetit, kërkon nga ju si autoritet qendror që të ndërmerrni masa konkrete me qëllim të gjetjes së masave alternative, përmes të cilave do të mundësohet vazhdimësia e funksionimit të RTK-së, si transmetues publik i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në letër.
Avokati i Popullit tutje ka theksuar se është i vetëdijshëm për vakumin institucional në Republikën e Kosovës, megjithatë konsideron se është obligim i të gjitha institucioneve së bashku që të ndërmarrin masa me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së situatës në RTK, me te cilën janë duke u përballur.
“Avokati i Popullit është i gatshëm të bashkëpunoj me ju, për aq sa i bie në kompetencat dhe mandatin e tij kushtetues, me qëllim të gjetjes së një alternative për daljen nga kriza buxhetore e RTK-së, në mënyrë që të ruhet vazhdimësia e punës dhe funksionimit të RTK-së”, thuhet në fund të letrës./RTK/Katror.info