Baleti Kombëtar i Kosovës (BKK) do të prezantojë premierën e tij më të re, “Deadline”, më 20 mars në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Kjo shfaqje, e konceptuar nga koreografi Sead Vuniqi, shënon premierën e dytë të BKK-së për vitin 2025 dhe sjell një interpretim të ri artistik për publikun, shkruan Katror.info.
Balerinët e BKK-së ndodhen në një fazë intensive të provave, duke punuar ngushtë me koreografin Vuniqi dhe asistenten Diletta Antolini për të finalizuar çdo detaj të performancës. Me përkushtimin dhe energjinë e tyre, pritet që “Deadline” të sjellë një përvojë unike artistike për adhuruesit e baletit.
Shfaqja do të jetë e hapur për publikun më 20 dhe 21 mars, duke ofruar dy net magjike të artit skenik në kryeqytet. Për të mos e humbur këtë premierë, publiku mund të sigurojë vendet e tyre përmes rezervimeve paraprake./Katror.info