Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për të avancuar barazinë gjinore dhe për të garantuar të drejtat e grave në vendin e punës.
Këtë mesazh e përcollën partnerët gjatë konsultimit të sotëm për “Sigurinë e Grave në Vendin e Punës”, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Takimi kishte për qëllim të diskutojë mekanizmat institucionalë, përmirësimin e sistemeve të raportimit dhe sigurimin e dinjitetit dhe sigurisë për çdo grua në ambientin profesional.
“Ky është një moment për të njohur sa larg kemi arritur, por edhe për të parë përpara. Gratë duan që të drejtat e tyre të mbrohen dhe zëri i tyre të dëgjohet. BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë përkrah tyre, të hapë dyer, të mbështesë pjesëmarrjen dhe të ndihmojë gratë të udhëheqin të ardhmen e Kosovës,” tha Zëvendësshefi i Sektorit të Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, gjatë fjalës së tij në ngjarje.
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, theksoi faktorët që ndikojnë në pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës. Ajo shpjegoi se mungesa e kujdesit institucional për fëmijët, transporti publik i pamjaftueshëm, punësimi joformal dhe normat kulturore pengojnë gratë të zhvillojnë plotësisht potencialin e tyre profesional. “Gratë shpesh mbeten të kufizuara në sektorë me produktivitet dhe paga më të ulëta, pa kushte dinjiteti dhe mbrojtje sociale,” tha Gusia, duke shtuar se formalizimi i sektorëve ku punësohen gratë dhe përdorimi i masave afirmative janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm.
Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, theksoi sfidat që dokumentohen edhe në Raportin e Progresit për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian. Ajo bëri thirrje që investimet në barazi gjinore të mos jenë vetëm përgjigje ndaj pritjeve ndërkombëtare, por të burojnë nga iniciativat institucionale të vendit. Demolli nënvizoi se diskriminimi gjinor, pasiguria në marrëdhëniet e punës dhe ngarkesa e dyfishtë mes punës së paguar dhe përkujdesjes familjare mbeten pengesa kryesore për barazinë reale.
Takimi riafirmon përkushtimin e institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë për të krijuar një ambient pune të sigurt, të barabartë dhe të respektueshëm për gratë në Kosovë, duke u fokusuar jo vetëm në respektimin e ligjit, por edhe në shëndetin mendor dhe mirëqenien e tyre./Katror.info











