Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thë se Kosova është përfituesi më i madh në rajon nga Fondi i Garancisë për Ballkanin Perëndimor të BE-së dhe KfW (Banka Gjermane për Zhvillim) në Mbështetje të Qëndrueshmërisë së Ndërmarrësve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Vlera e marrëveshjes së nënshkruar bashkë me Fondin Kosovar të Garancisë Kreditore është 22,1 milionë euro, thuhet në njoftim.
“Qëllimi i kësaj nisme është të mundësojë përshkallëzimin e investimeve në fusha që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe integrimin rajonal, në veçanti duke rritur konkurrencën e rajonit dhe krijimin e vendeve të punës.”
“Urime Fondit Kosovar të Garancisë Kreditore që na është bashkuar në këtë përpjekje jetike duke nënshkruar marrëveshjen prej 22,1 milionë euro! Roli juaj në shpërndarjen e këtyre fondeve të garancisë kreditore është thelbësor për rritjen e ekonomisë së Kosovës,” thuhet në njoftim.
Kjo nismë është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane nëpërmjet Bankës për Zhvillim KfW./Katror.info