Bashkimi Evropian do të ofrojë 700,000 euro për të mbështetur linjëzimin e sistemit hekurudhor shqiptar me standardet evropiane, forcimin e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e hekurudhave dhe trajnimin e punonjësve.
Së fundmi, Bashkimi Evropian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kanë hapur një tender për të mbështetur zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian (acquis të BE) në sektorin hekurudhor shqiptar përmes krijimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të autoriteteve dhe sistemeve të kërkuara hekurudhore.
Objektivi i kësaj kontrate është të kontribuojë dhe të ofrojë mbështetje për sektorin hekurudhor shqiptar, me qëllim përafrimin e politikave dhe legjislacionit të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, të ndërtohen kapacitete administrative për zbatimin e plotë dhe në mënyrë efektive të politikave sektoriale dhe legjislacionit të miratuar.
Do të ofrohet mbështetje në hartimin e kuadrit ligjor hekurudhor, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian, përmirësimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Autoriteteve të tjera Hekurudhore Shqiptare, përmes aktiviteteve të ndërtimit të kapaciteteve, me fokus të veçantë në përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së, shkruan GazetaTema.
Bashkimi Evropian do të ofronte 700,000 euro (duke përjashtuar këtu TVSH) për zbatimin e këtij projekti përgjatë 15 muajve. Pavarësisht se dy kompani prezantuan ofertat e tyre, tenderi u mbyll pa fitues, kjo për arsye të tërheqjes, ose mosplotësimit të kritereve nga ana e kompanive.
Përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor 2021-2027, Bashkimi Evropian i ka zhvendosur një pjesë të fondeve në drejtim të zhvillimit të transportit hekurudhor në rajon.
Korniza e Investimeve e Ballkanit Perëndimor (WBIF) parashikonte rehabilitimin e 11 hekurudhave përgjatë korridoreve kryesore në periudhën 2024-2030, rreth 196 km në Shqipëri, 192 km në Serbi, 101 km në Kosovë, 88 km në Maqedoninë e Veriut dhe 74 km në Mal të Zi./Katror.info