Sot në Kosovë po mban moti i ftohtë dhe me reshje bore. Instituti Hidrometerologjik bën të ditur se temperaturat do të shënojnë rënie në të dy vlerat ekstreme. Sipas IHMK-së do të ketë erëra mesatare deri të forta kryesisht nga drejtimi i verilindjes.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me ngrica.
“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotëroj mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave), kërkohet nga shoferët që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.